Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po vlerëson se ekonomia e Kosovës pritet të ndien krizën përmes kanalit të rritjes së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.
Derisa profesori i ekonomisë po kërkon nga Qeveria, rishikimin e buxhetit 2022 dhe miratimin e pakos ekonomike për të subvencionuar ekonominë dhe qytetarët e vendit, ish-ministrja e Tregtisë thotë se nuk është koha që Qeveria të mbledh taksa, por duhet t’i shpërndaj ato.
Ditë më parë zyrtarë të Trust-it konfirmuan për KosovaPress, se kriza në tregjet e ndërkombëtare bëri që të bie vlera e investimit në kthim rreth 90 milionë euro. Ndërkaq, tash përveç rritjes së inflacionit, BQK-ja, si të rrezikuar po e sheh edhe Fondin e Kursimeve Pensionale-Trust, që është i investuar rreth 80 përqind në tregjet ndërkombëtare.
“Duke pasur parasysh faktin se ekonomia e Kosovës ka volum të lartë të importeve nga vendet e BE-së dhe se lufta ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse do të ndikojë, sidomos në sektorin e energjisë, presim që edhe ekonomia e Kosovës të ndikohet përmes kanalit të çmimeve. Gjithashtu, zhvillimet e tilla ndikojnë edhe në tregjet e kapitalit, rrjedhimisht, në performancën e aseteve të Trustit, por këto janë efekte të natyrës më afatshkurtër si rezultat i luhatjeve të tregjeve dhe në periudha afatmesme pritet të rikuperohen”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.
E qytetarët nuk kanë pse të ndihen të brengosur për depozitat e tyre në bankat komerciale në Kosovë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi që sipas Ahmetit, bankat nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është i ulët.
“Segmentet tjera të ekonomisë së vendit nuk kanë ekspozim ndaj tregjeve të Evropës Lindore dhe niveli i transaksioneve është relativisht i ulët. Rrjedhimisht, për vitin 2022 presim kontribut të lartë të sistemit bankar vendor në zhvillim të mëtejmë të ekonomisë vendore dhe financim të aktivitetit ekonomik në përgjithësi”, shprehet ai.
Për shkak të luftës në Ukrainë, ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami pos rritjes së çmimeve, shprehë drojën për mungesë të mallrave esencaile, grurit, miellit, vajit dhe sheqerit.
Po përballemi me një valë të re të inflacionit, e cila ka shumë gjasa që të mos jetë vetëm inflacion, por në ditët e ardhshme të përballemi edhe me mungesë të produkteve, kjo besoj që do të jetë më problematike dhe do të jetë shqetësim tejet i madh për mirëfunksionimin komplet të industrisë, por edhe të institucioneve shtetërore…Janë dy rrafshe në të cilat duhet të veprojë qeveria, e cila fatkeqësisht është duke qëndruar si spektatore, nuk e kemi parë veprime konkrete”, thotë ajo.
Pas ndalimit të mallrave nga disa vende fqinje, deputetja Bajrami po kërkon nga Qeveria furnizim me artikuj kryesor nga vendet mike të Kosovës.
“Konsiderojmë që qeveria duhet me qenë më aktive, edhe sa i përket mbrojtjes së qytetarëve, por gjithashtu edhe rritjes së rezervave, sepse kriza Rusi-Ukrainë, është e vërtet që po e shkundë dhe po ka impakt kompelt në tregun global, duke qenë se të dy shtetet janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të drithrave dhe të vajrave… Kosova si vend është përballur me vite të tëra me mungesa buxhetore. Rezervat shtetërore nuk kanë qenë të mëdha, e dimë që qeveria e ka ndarë një shumë të mjeteve prej 10 milionë euro, por konsiderojmë që kjo shumë nuk është e mjaftueshme. Ajo që ne konsiderojmë është që në artikujt kryesor, qeveria duhet të angazhohet me shtetet mike të Kosovës për të siguruar rezerva për një periudhë të caktuar kohore”, thotë ajo.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë se në këtë kohë krize me shtrenjtime të mëdha, qeveria duhet urgjent ta bëjë rishikimin e buxhetit 2022, në mënyrë që të miratohet një pakoje ekonomike për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë në vend.
Në këtë kohë krize të risihkohet buxheti dhe projektet të cilat kanë qenë të planifikuara për projekte që janë të pritshme ose sekondare, të subvecnionohet më tepër bujqësia, ekonomia dhe në përgjithësi të mbrohet mirëqenia sociale e qytetarëve, sepse ka kategori të cilat janë me paga fikse, sidomos pensionistët, ish-luftëtarët, por edhe kategori të tjera të sektorit publik dhe privat të cilëve në këtë kohë iu nevojitet një mbështetje më e fortë nga ana e shtetit, ose ‘dorën intervenuese”, thotë profesori për KosovaPress.
Ai shton se qeveria nuk është e përgatitur për ta përballuar krizën e shkaktuar në vendin tonë si rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë.
“Edhe Kosova është duke u ballafaquar me një krizë, si rrjedhojë e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Respektivisht është një krizë ekonomike të themi e importuar ngase gati të gjitha mallrat që i kemi për qytetarët në Kosovë, janë të importuara. Nuk është që në mënyrë të drejtpërdrejt varet nga këto dy shtete, por pasojat janë indirekte dhe reflektojnë edhe në ekonominë e Kosovës. Në rastin konkret janë derivatet e naftës, gruri, mielli dhe produktet e saj, vaj dhe sheqeri të cilat janë me rëndësi strategjike për shportën e konsumatorit, të cilat veç kanë filluar të ngriten dhe janë të papërballueshme për konsumatorin ne. Në këtë kontekst nuk mund të themi që kemi qenë të papërgatitur në aspektin e njohës dhe dijes që do të vije kjo krizë, por ndoshta e papërgatitur ka qenë qeveria dhe institucionet, po ashtu edhe bizneset të cilat paraprakisht nuk janë siguruar me sasi më të mëdha të këtyre produkteve strategjike”, thotë ai.
Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë po ashtu se jeta e qytetarëve është papërballueshme dhe tash nuk është koha që Qeveria të mbledhë taksa, por t’iu dal në ndihmë qytetarëve.
“Jeta po bëhet e papërballueshme, në anën tjetër kriza dhe krejt indikacionet po tregojnë që do të kemi vazhdimësi. Nuk po shohim ndonjë përfundim as të luftës Rusi-Ukrainë, prandaj nuk e dimë për sa kohë do të përballemi me një gjendje të tillë. Por konsiderojmë që qeveria nuk e ka kohën tani me mbledh taksa prej qytetarëve dhe me i ruajtur ato në llogarinë e shtetit, kështu që konsiderojmë se është koha me qenë më proaktive dhe me i shpërndarë këto mjete në mënyrë që me i lehtësuar sfidat e tyre”, thekson ajo.
Ndërkaq, sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon rritja e inflacionit dhe indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 7.5 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin shkurt 2021.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit për bukë dhe drithëra 15.7%, mish 8.6%, qumësht, djathë dhe vezë 11.1%, vajra dhe yndyra ushqimore 32.1%, perime 13.8%, sheqeri me shtrenjtim 11.3 përqind dhe karburantet 28.2.