Hetuesit në Korenë e Jugut kanë kërkuar të hënën lëshimin e një fletarrestimi për presidentin e pezulluar të vendit, Yoon Suk Yeol, në lidhje me zbatimin jetëshkurtër të ligjit ushtarak.
Yoon nuk u është përgjigjur thirrjeve për t’u marrë në pyetje nga Policia dhe Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, të cilat janë duke e hetuar bashkërisht nëse shpallja e ligjit ushtarak nga ai më 3 dhjetor përbënte kryengritje.
Policia është përpjekur por ka dështuar ta bastisë zyrën presidenciale gjatë hetimit.
Një gjykatë në Seul do të vendosë tani se a të lëshojë fletarrestim për Yoon apo jo.
Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti nuk ka imunitet.
Yoon Kab-keun, avokati i presidentit të pezulluar, e cilësoi kërkesën për arrestim e tij si “të padrejtë” dhe deklaroi se agjencia kundër korrupsionit nuk ka autoritet për ta bërë një kërkesë të tillë.
Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend.