Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka reaguar rreth arrestimit të personit që ka kërcënuar nënkryetaren e Leposaviqit, shkruan Gazeta Metro.
Sveçla në postimin e tij në Facebook, ka radhitur disa veprime që kanë ndodhur në veri të vendit, siç është arrestimi i kërcënuesit të nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletic, por edhe ndalimin e kontrabandës me mallra.
Ai ka shtuar se ‘koha e pandëshkueshmerisë ka marrë fund’.
“Krimi dhe kërcënimi nuk kalojnë. Pardje është ndaluar kontrabanda me mallra, dje është konfiskuar vetura në kërkim ndërkombëtar, sot është arrestuar personi që ka kërcënuar nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit, znj. Dragana Miletic. Të gjitha këto në veri të vendit. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”, ka thënë Sevçla.