Publikimi i dy identiteteve të cilët nuk janë konfirmuar se menaxhojnë dy faqe të njohura para mediave nga kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë që të reagojnë organizatat ndërkombëtare duke e konsideruar se Veliaj ka vënë në rrezik sigurinë e këtyre personave.
Bëhet fjalë për faqet “Lolita” dhe “JOQ Albania” të cilat kritikojnë pushtetin lokal në Shqipëri të cilat menaxhohen nga persona anonime e që më 29 mars, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj bëri publik emrat e tyre.
Reagim erdhi Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili tha se këto faqe ndihmojnë në llogaridhënien e pushtetit dhe sjellja e Kryetarit të Tiranës është e papranueshme.
“Jam i zemëruar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në zbulimin e identitetit të administratorëve të faqeve satirike të Facebook-ut shqiptar Lolita dhe JOQ. Këto faqe, edhe pse jo krejtësisht gazetareske, ndihmojnë për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet nëpërmjet humorit (nëse ju pëlqen apo jo)”, ka shkruar Sekretari i EFJ-së.
“Z. Veliaj ka publikuar emrat dhe informata tejet private të familjeve të këtyre dy personave, duke supozuar se i ka ‘identifikuar’ ata, duke i vendosur ata direkt në rrezik fizik. Vetëm disa orë më parë, ai përmendi ata prapë, duke thënë se Policia është nisur drejt tyre, duke sugjeruar se atë mund të jenë arrestuar”, shtoi Sekretari i EFJ-së.
Reagim pati edhe nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, me bazë në Gjermani, e cila thotë se identifikimi publik që Veliaj u ka bërë dy personave që ai dyshon se janë prapa dy faqeve, çon në shqetësime për sigurinë e tyre.
“Ne jemi të shokuar që Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, identifikoi individë që dyshohet se janë prapa dy faqeve anonime Lolita dhe JOQ, duke çuar kështu në shqetësime të sigurisë. Veliaj duhet që menjëherë të kërkojë falje dhe të sigurohet që identitetet e individëve privatë janë të mbrojtura”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.