Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, ka thënë se një deputet i Lidhjes Demokratike, nga viti 2011 deri në vitin 2013 ka shpenzuar 10,440 euro në derivate.
Kështu u shpreh ai nëpërmjet një postimi në Facebook.
“5220 euro për vit, apo 435 euro në muaj për dy vite me radhë. Transparencë deri në fund”, shkroi ai.
Fjala është për ish-deputetin e LDK-së, Blerim Grainca.
Ky i fundit i cili vjen nga Ferizaj i kishte kërkuar Kuvendit të Kosovës më 29 korrik të vitit 2015, që të mos i ndante para për udhëtim, pasi kishte thënë se jetonte në Prishtinë.
Javën e kaluar janë publikuar shpenzimet e deputetëve për derivate.
Ata morën qindra euro kompensim nga buxheti i shtetit sa herë që kanë udhëtuar në Prishtinë për seanca apo komisione.
Një gjë e tillë shkaktoi pakënaqësi te qytetarët dhe të njëjtit kërkuan që kjo rregullore e Kuvendit, e cila daton nga viti 2011, të ndryshojë.