Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të nisë hetimet për pretendimet e banorëve se janë bërë keqpërdorime rreth ndërtimit të kompleksit memorial në Mejë të Gjakovës.
Në kërkesën e tij drejtuar Lumezit, Haradinaj ka thënë se është e rëndësisë së veçantë që memorja historike kombëtare të jetë kredibile dhe pa afera të mundshme të cilat mund të dëmtojnë pastërtinë e përpjekjeve për çlirim dhe liri.
“Sot, i jam drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, që në mandatin e tij ligjor të fillojë menjëherë, në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimin për keqpërdorimet të cilat janë shprehur si shqetësim nga banorët rreth ndërtimit të Memorialit në Mejë të Gjakovës.
Ne nuk do të lejojmë që keqpërdorimet e mundshme të degradojnë pastërtinë e përpjekjeve tona për çlirim dhe liri. Memorja jonë historike kombëtare është trashëgimi për brezat që vijnë”, ka shkruar Haradinaj.