Liderët e opozitës kanë kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë dhe devijim në procesin e dialogut me Serbinë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë shprehur të shqetësuar me rrjedhën e dialogut me Serbinë.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ata kanë thënë se kryeministri Kurti ka pranuar një dokument në të cilin nuk parashihet njohja e ndërsjellë.
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se shefi i ekzekutivit nuk ka nevojë të fshihet ose të mashtrojë në këtë proces.
“Rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti, me mënyrën se si i është qasur qeverisjes në përgjithësi, ndërsa në veçanti zhvillimeve të fundit në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dua që t’ia bëj të qartë kryeministrit, se në raport me temën e dialogut, nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente”, ka thënë Krasniqi.
Ai ftoi Kurtin që t’i njoftojë deputetët dhe qytetarët për procesin e dialogut në Kuvend, e jo nga restorantet.
Ai ka shtuar se procesi i dialogu nuk është çështje private mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Dialogu si proces dhe aranzhmanet që dalin prej tij, nuk janë çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe se për t’i arritur interesat e Republikës së Kosovës nga ky proces, s’ke nevojë të jesh as mistik, as hero, as tradhtar, por thjeshtë një kryeministër i përgjegjshëm. Mbështetjen e ke, qëllimet janë publike, rezultatet i presim”, ka vlerësuar Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar llogari nga kryeministri për këtë proces.
Në adresimin e tij para deputetëve, Abdixhiku, ka drejtuar katër pyetje për kryeministrin, Albin Kurti për atë se çfarë ka pranuar në takimin me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Para se t’i bënte pyetjet, Abdixhiku ka treguar se çka i kishte prezantuar kryeministri Kurti gjatë takimeve me liderët e partive opozitare në muajin gusht dhe dhjetor të viti 2022.
“Në marrëveshjen e pranuar a bëhet fjalë për marrëveshje finale apo për një marrëveshje bazë dhe jo përfundimtare? A e ka njohje e ndërsjelltë në qendër të saj? A e ka elementet e paltformës tuaj që na prezantun më gusht 2022? A parasheh rikonsiderimin e të gjitha marrëveshjeve paraparake apo pranimin e të gjitha marrëveshjeve?” – ka pyetur ai duke shtuar se “çfarë elemente ka produkti i juaj përfundimtar, çfarë ke pranuar saktësisht, trego hapur, pa frikë dhe shqip para të zgjedhurve të popullit”, ka thënë Abdixhiku.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për dialogun, Kryeministri Kurti ka ftuar opozitën që të thërras seancë parlamentare për këtë çështje.
Ai ka mohuar kritikat e opozitës se po fshihet nga procesi.
Kurti ka bërë me dije se nuk do të këtë marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbi pa njohje reciproke.
Ai ka thënë se procesi i fazës finale tani është në fillim.
“Emisarët franko-gjerman nuk na kanë sjell një dokument të stilit merre ose lerre, andaj nuk na kanë sjell propozim për marrëveshje fininale. Ata kanë sjell propozim për një marrëveshje bazë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, njohja e ndërsjellë është çështje kryesore.
“Republika e Kosovës nuk e njeh Republiken e Serbisë, as Republika e Kosovës nuk e njeh atë të Serbisë. Ne sot kemi mosnjohje reciproke. Ajo çka na duhet është një marrëveshje finale pa njohje në qënder nuk mund të këtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se propozimi evropian nuk flet për njohje de jure.
Kurti ka bërë me dije se paragrafët e planit, që bazohet në modelet e dy Gjermanive, flasin për njohje “de facto”.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme qysh sot lidhur me planin franko-gjerman e marrëveshjen me Serbinë.
Kjo pasi sipas Abdixhikut, Kurti ka devijuar nga premtimet e tij.
“Unë nuk po të gjykoj kornizën e dialogut. Pyeta se çka është reflektuar në marrëveshjen që e ke pranuar në parim. Janë dy përgjigje shqetësuese: e para ke pranuar që nga një marrëveshje të obligueshme të pranosh në parim marrëveshje bazë jo finale. Sapo e pranove që po negocion marrëveshje që se ka njohjen në të. Nuk dhe përgjigje as për dëmet, as reciprocitetit të të drejtave, e as rishikimit të marrëveshjeve paraprake. Nuk po tregon cka po bëhet, por e ke pranuar dokumentin. Je i paqartë por e ke pranuar dokumentin në parim. Si mund të pranosh marrëveshje pa njohje. Duhet të thërrasim urgjentisht seancë të jashtëzakonshme. Iu ftoj të gjithëve të japim 40 nënshkrimet sot të ndërprejmë çdo temë tjetër”, ka thënë Abdixhiku.