Aktorja e njohur dhe fituese e çmimit ‘Oscar’, Kathy Bates, ka pranuar se, ndonëse nuk lejohet zyrtarisht, ajo ndonjëherë fshihet në rrjetet sociale për të lexuar reagimet e fansave për serialin “Matlock”.
Gjatë një paneli në “Deadline’s Contenders TV”, ajo tregoi se kalon nëpër Reddit për të parë si pritet seriali nga publiku, transmeton Gazeta Papirus.
“Nëse shoh një koment negativ, ai më mbetet më gjatë në mendje sesa mijëra komente pozitive”, u shpreh ajo, shkruan DailyMail.
Megjithatë, aktorja tregoi edhe një moment prekës ku një grua në Reddit ndau historinë e saj si anëtare jurie, e ngjashme me një episod të serialit. Kjo i kishte lënë shumë përshtypje Bates-it.
Krahas aktrimit, ajo zbuloi se do të drejtojë një episod në sezonin e dytë të “Matlock”, gjë që e emocionon pasi nuk ka qëndruar pas kamerave që nga koha e “Six Feet Under”, 22 vite më parë.

Bates foli gjithashtu me superlativa për kolegen e saj Skye P. Marshall, e cila luan rolin e Olympia-s në serial, duke e quajtur “e talentuar, e gjallë dhe natyrale në ekran”.
Versioni i ri i “Matlock” e sjell Batesin në rolin e Madeline “Matty” Kingston, një avokate që rikthehet nga pensioni për të kërkuar drejtësi pas humbjes së vajzës së saj gjatë krizës së opioideve.
Seriali ka pasur premierën në CBS në shtator 2024 dhe është rinovuar për një sezon të dytë.