Pas vizitës 18 ditore në ShBA, kryeministri Albin Kurti nga Nju Jorku u nis për në Zvicër. Udhëtimi disa orësh, shefit të ekzekutivit kosovar i kushtoi 802 euro.
Në Zvicër po e prisnin tre pjesëtarë të stafit, të cilët do e shoqëronin gjatë vizitës katër ditore në shtetin helvetik.
Një ditë para se ai të mbërijë, aty kishte shkuar këshilltarja e tij politike, Fëllanza Podrimja.
Një natë e qëndrimit të saj në hotelin Hyatt Place, që gjendet afër aeroportit të Zurichut, kushtoi 246 franga zvicerane, nga të cilat 200 franga për akomodim, 41 franga për ushqim dhe 5 të tjera për taksi.
Podrimja i shpenzoi, po ashtu, rreth 60 euro për udhëtimin me tren nga Berni në Shtutgart, më 26 maj.
202 franga të tjera, këshilltarja e Kurtit i shpenzoi gjatë qëndrimit njëditor në Croëne Plaza Hotel.
Shto këtu edhe 640 euro të tjera për mëditje, ajo në këtë udhëtim katër ditor shpenzoi plot 1 mijë e 75 euro.
Ndërsa, kryeministri Kurti në të njëjtin hotel shpenzoi 264 franga.
Më shumë se këtu, kryeministri i Kosovës me stafin e tij harxhuan në hotelin Piz Buin në Klosters.
3228 franga nga buxheti i shtetit u shpenzuan gjatë qëndrimit në hotelin me katër yje.
Kurti, po ashtu, shpenzoi edhe 65 franga për pastrimin e rrobave.
Mbi 1 mijë e 500 euro u shpenzuan vetëm për akomodimin e ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli.
Ndërkaq, pjesëtari tjetër i këtij delegacionit, Bejtush Fetija, shpenzoi 1 mijë e 60 euro, nga të cilat 640 euro si mëditje.
Në total, kjo vizitë e kryeministrit Kurti, gjatë së cilës ai u takua me studentë dhe bashkatdhetarë të tjerë, me një prodhues çokollatash dhe me disa drejtues të ndërmarrjeve, i kushtoi shtetit gjithsej 7868 euro.