Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, sidomos në kryeqytet, duke cenuar kështu sigurinë publike. Nga të shtënat me armë, po rrezikohen qytetarët të cilët mund ta pësojnë shkaku i plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Qytetarët që jetojnë në qendër të Prishtinës janë trazuar mbrëmë, pasi në orët e para të ditës së sotme janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 në rrugën ‘Luan Haradinaj’, ku një person dyshohet se ka gjuajtur me armë nga vetura e cila ishte në lëvizje.
Sipas dëshmitarëve që panë atë që ndodhi, i dyshuari ka shtënë në ajër dhe nuk dukej të ketë pasur telashe me dikë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë që dyshohet se i përket armës që u përdor në rast. Ndërkohë janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.