Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan po ndjek nga afër zhvillimet e jashtëzakonshme në Kazakistan. Sipas Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Kazakistanit Kasım Cömert Tokayev, me të cilin kanë shkëmbyer mendime për zhvillimet e fundit.
Erdogan tha se po ndiqte nga afër zhvillimet në Kazakistanin mik dhe vëllazëror dhe nënvizoi solidaritetin dhe mbështetjen e tij për vendin e Kaukazit Qendror.
Ai shprehu shpresën se qeveria e re do të formohet sa më shpejt dhe se tensioni do të përfundojë. Presidenti turk shprehu besimin se populli i Kazakistanit do t’i kapërcejë problemet në kuadrin e besimit dhe dialogut reciprok.
Erdogan vuri në dukje se Turqia është e gatshme të ofrojë çdo lloj ndihme nëse nevojitet, ndërsa theksoi se stabiliteti dhe siguria e Kazakistanit janë të rëndësishme për të gjithë rajonin, veçanërisht për fqinjët e tij.
Kujtojmë se prej ditësh kanë shpërthyer protesta të dhunshme kundër rritjes së çmimit të gazit në Kazakistan. Tubimet sollën rrëzimin e qeverisë, ndërsa shumë qytetarë kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur, përfshirë punonjës të policisë.