Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha sot në Davos të Zvicrës se presidenti rus Vladimir Putin tashmë ka dështuar t’i arrijë qëllimet e tij strategjike, duke shtuar se bota është në një pikë kritike, përcjell Express.
“Bota është në një pikë kthese”, tha Scholz, duke shtuar se “jo vetëm Ukraina është e rrezikuar, por sistemi i bashkëpunimit ndërkombëtar i krijuar pas dy luftërave botërore”, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.
“Ne nuk duhet ta lejojmë Putinin ta fitojë këtë luftë. Unë besoj fort se ai nuk do të fitojë”, tha kancelari gjerman, duke shtuar se ai beson në rezistencën e fortë të ukrainasve, por edhe në ndihmën e dhënë Ukrainës nga komuniteti ndërkombëtar.
Ai paralajmëroi se kostoja e luftës për regjimin rus mund të jetë e madhe, duke shtuar: “Putini do të negociojë seriozisht vetëm kur të kuptojë se nuk mund ta thyejë mbrojtjen e Ukrainës”.
“Nuk do të ketë paqe nën diktat. Ukraina nuk do ta pranojë këtë, dhe as ne”, shtoi Scholz.
Reagimi i Gjermanisë ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë nën lupë prej muajsh për shkak të varësisë së madhe të Gjermanisë nga gazi rus.