Me rastin e organizimit të Kampionatit Ballkanik të Shahut dhe Turneut Ndërkombëtar të Shahut “Prishtina Open”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të mirëpritjes së 120 shahistëve, të cilët ndodhen në Kosovë, e që vijnë nga 16 vende të ndryshme të botës, njoftojnë nga zyra e kryeministrit.
Të mbledhur për të festuar, jo vetëm bukurinë dhe anën garuese të këtij sporti të lashtë, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë që ai mbart mes popujve tanë, Kurti, u shpreh për sportin e shahut se është shumë më tepër se një lojë, dhe se mbartë në vete art e shkencë, si dhe pasqyrim të mendjes dhe vullnetit njerëzor.
E veçanta e gjithë kësaj ngjarjeje të rëndësishme që po zhvillohet në vendin tonë, është prania e legjendës së shahut botëror, Nigel Short, të cilin kryeministri e cilësoi si nder, duke e lartësuar personalitetin dhe figurën e shahistit Nigel Short, si frymëzim dhe mbështetje për brezat e rinj. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje sportive është dëshmi e përkushtimit dhe angazhimit të përbashkët për të zhvilluar dhe promovuar shahun si sport, u shpreh Kurti.
“Unë kam qenë i ri kur më kujtohet lojërat e bukura të talentit të jashtëzakonshëm në shah, Nigel Short, në vitin 1992 pat fituar një ndeshje 6:4 me Anatoly Karpov-in, ndërkaq në vitin pasues para tri dekadave, saktësisht në vitin 1993 ka pasur lojë, të cilën e ka mundur edhe Garry Kasporov-in edhe Borisovich Kramnik-un. Faleminderit z. Short, për mbështetjen dhe frymëzimin që i jepni brezave të rinj të shahistëve anë e mbanë”, kujtoi kryeministri.