Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka folur rreth trazirave të fundit në Serbi, ku mijëra studentë po protestojnë kundër regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Kamberi thotë se sipas raporteve të organizatave të besueshme ndërkombëtare, Vuçiq ka shndërruar Serbinë në autokraci si dhe në një shtet që ka demokraci, por vetëm si dekor, transmeton Klankosova.tv.
“Është muaji i tretë gati, që një numër i madh i studentëve, të rinjve, po protestojnë kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, i cili kohëve të fundit, por sidomos nga viti 2016 kishte filluar të shndërrohet në autokraci. Dhe siç e thonë edhe raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare , e ka shndërruar Serbinë në demokraci hibride, në të cilën ekzistojnë procedurat demokratike, por në sensin ato janë vetëm dekor dhe nuk vlejnë, sepse i gjithë pushteti është i koncentruar te një klasë politike, te një elitë, në rastin e Vuçiqit, tek ai personalisht”, tha Kamberi.