Pete Davidson zbuloi së fundmi se imazhi i tij si një njeri plot vetëbesim është në fakt një fasadë.
“Nëse mendoni se kam besim, ju kam mashtruar të gjithëve”, tha aktori 31-vjeçar, duke shtuar se përjetimet e vështira në fëmijëri, përfshirë humbjen e babait të tij në 11 Shtator, e kanë formuar këtë qëndrim moskokëçarës.
Davidson rrëfeu se për shumë kohë ka vënë nevojat e të tjerëve mbi të vetat, duke harruar veten, por tashmë ka mësuar të vlerësojë çfarë ka më të rëndësishme: familjen dhe miqtë e afërt. “Të gjithë të tjerët, le të shkojnë”, tha ai, shkruan DailyMail.
Në lidhje me jetën personale, Pete ka gjetur dashurinë me modelen Elsie Hewitt, pas ndarjes nga Madelyn Cline.
Çifti është parë së fundmi në Palm Beach dhe Skoci, duke kaluar kohë romantike së bashku.
Pete, që është tani fytyra e fushatës së re të Axe Body Spray, shprehu shqetësimin për ndikimin negativ të rrjeteve sociale te të rinjtë.
Ai theksoi rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe inkurajoi të rinjtë të largohen nga presioni i rrjeteve sociale. “Do ta kuptoni se ende ka mirësi në botë”, përfundoi ai.