Zyrtarët policorë, duke përfshirë edhe grada të larta jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë, por edhe jashtë detyrës zyrtare.
Për një rast të tillë, ku viktimë është një zyrtar policor në stacionin policor në Rahovec, Prokuroria tashmë ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj një 45-vjeçari.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se këtë herë është kërcënuar një polic (emër i njohur për redaksinë), nga një qytetar, i cili po bënte verifikimin e gjobave në stacion policor.
Ky i fundit, në shenjë revolte për një dënim që kishte marrë në trafik, ka shkaktuar telashe, e më pas me britma ka kërcënuar policin që e kishte gjobitur.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka kanosur seriozisht zyrtarin policor, ku ndër të tjera ka thënë “Kam me shkelë policin që m’ka dënu, me ngreh zhag”.
Përballë kësaj situate, zyrtarët policorë kanë intervenuar për ta vënë situatën nën kontroll, me ç’rast i dyshuari është intervistuar nga hetuesit lidhur me këtë rast.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti në drejtim të veprës penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.