Qeveria Kurti ka kaluar gjysmën e mandatit të saj, por nuk ka mundur t`i zgjedh as gjysmën e pozitave të larta drejtuese. Kjo ka bërë që shumica e ministrive, agjencive të pavarura ekzekutive të funksionojnë me ushtrues detyre apo zëvendësues.
Deri me tani kabineti qeveritar nuk ka mundur të zgjedh as Sekretarin e Përhershëm të Zyrës së Kryeministrit dhe as sekretarët e gjysmës së ministrive.
Një praktikë e tillë nuk ka ndodhur në asnjë qeveri të më hershme.
Opozita dhe shoqëria civile e kanë parë me shqetësim moszgjedhjen e këtyre pozitave, ndërsa Qeveria nuk ka sqaruar se pse po ndodh kjo.
Përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të shoqërisë civile pretendojnë se këto procese janë neglizhuar për interesa të ngushta.
Këtë shqetësim në Kuvendin e Kosovës dje e ka ngritur edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, ajo ka përmendur ministritë që nuk kanë sekretar të përhershëm.
“Po filloj nga Zyra e Kryeministrit, ku ende ka ushtrues detyre, Ministria e Financave me ushtrues detyre, Ministria e Zhvillimit Ekonomik njëjtë, MAPL me ushtrues detyre, Ministria e Punëve të Jashtme me ushtrues detyre, Ministria për Komunitete dhe Kthim me ushtrues detyre, Ministria e Industrisë dhe Tregtisë me ushtrues detyre”, ka deklaruar Bunjaku-Rexhepi.
Më tej, ajo ka përmendur edhe agjencitë dhe institucionet tjera që po funksionojnë me ushtrues detyre.
“Thesari i Shtetit me ushtrues detyre, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me ushtrues detyre, Agjencia e Statistikave të Kosovës me ushtrues detyre, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale me ushtrues detyre, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës me ushtrues detyre, Inspektorati Shëndetësor me ushtrues detyre, Agjencia e Punësimit me ushtrues detyre, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare me ushtrues detyre, Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Nderrmarrjeve në Kosovë me ushtrues detyre, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut me ushtrues detyre, Sektori për Çështje juridike administrative me ushtrues detyre, Sektori për Siguri të Përgjithshme të Produketeve me ushtrues detyre, sektori për mbikëqyrjen e naftës me ushtrues detyre, sektori i tregut me ushtrues detyre, Agjencia Kosovare e Standardizimit me ushtrues detyre, Agjencia e Meteorologjisë së Kosovës me ushtrues detyre”, ka vlerësuar ajo.
Në fund të adresimit të saj, deputetja e LDK-së ka ironizuar duke propozuar që edhe qeveria të mbetet me ushtrues detyre.
“Ja se si e udhëhiqni shtetin. Iu propozoj që edhe kjo qeveria të mbetet me ushtrues detyre. Ju jeni qeveria ma e papërgjegjshme, jeni qeveria që gjithçka funksionin me ushtrues detyre”, është shprehur ajo.
Arsyetimet e Qeverisë
Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka dhënë sqarime të qarta se pse dhjetëra institucione po mbahen me ushtrues detyre. Për këtë çështje deputet dhe media vazhdimisht kanë pyetur Qeverinë.
Kohë më parë për këtë temë kryeministri Albin Kurti është pyetur edhe nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
I pari i qeverisë ishte munduar të arsyetohet për shkak të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Siç e di ligji aktual për Zyrtarët Publikë parasheh procedurat për rekrutimin e nëpunësve të lartë drejtues, duke filluar me hapje të konkurseve për brenda shërbimit civil. Dhe vetëm kur ato dështojnë, atëherë hapen konkurset për kandidatët nga jashtë. Bazuar në këtë ligj ne kemi emëruar në mbledhje të qeverisë anëtarët e Këshillit Shtetëror për Pranim dhe ata tashmë kanë zhvilluar një numër të procedurave të rekrutimit”, kishte thënë Kurti.
Më pas, si arsyeje ai ka përmendur edhe dështimin konkurseve.
“Disa nga këto procedura kanë dështuar për mungese të kandidatëve, disa të tjera për shkak të tërheqjes së kandidatëve nga procesi i garimit, një numër i tyre janë shpallur për aplikim edhe nga jashtë, ndërsa disa të tjera kanë përfunduar dhe nëpunësit e lartë janë emëruar në pozita. Për shkak se ligji në fuqi nuk e lejon mundësinë e zëvendësimit të anëtareve të këshillit, anëtarët të cilët kanë po ashtu pozita drejtuese dhe detyra pune nëpër institucionet e tyre, në disa raste këshilli është obliguar t`i shtyjë disa nga proceset e rekrutimit. Vonesa ka pasur edhe për shkak të afateve mjaft të gjata të ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, kishte thënë Kurti.
Dyshimet e shoqërisë civile
Edhe shoqëria civile e ka parë me dyshime të mëdha funksionimin e institucioneve të shumta me zëvendësues.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, kohë më parë ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë mënyrë, shtohen dyshimet se qëllimi është që të kapen këto pozita.
“Përgjegjësinë për zgjedhjen e sekretarëve e bartin ministritë përkatëse, përderisa praktika e tillë e udhëheqjes së administratës shtetërore me Ushtrues Detyre përbën praktikë të keqe, paaftësi e pushtetit dhe fitohet perceptimi në publik se qëllimi është për t’i kapur këto pozita. Për më tepër, edhe në gjetjet vjetore paraprake të Zyrës Kombëtare të Auditimit është vlerësuar si praktikë që mund të ndikojë keq në punën dhe organizimin e institucioneve shtetërore”, ka thënë Jakaj.
Ai ka thënë se nëpër disa ministri procesi i zgjedhjes se sekretareve ka dështuar disa herë.
“Kjo nuk është e tëra. Edhe agjencitë e tjera ekzekutive dhe rregullatore në kuadër të Qeverisë, vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre. Disa nga ministritë rezulton të kenë dështuar të paktën dy herë për zgjedhjen e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm e në disa ministri nga tre herë. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Arsimit, dhe Ministria e Mbrojtjes kanë dështuar deri në tre herë për përzgjedhjen e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm”, ka vlerësuar ai.
Gjysma e mandatit Qeverinë Kurti e ka gjetur edhe me institucione shumë të rëndësishme pa udhëheqës. Ndonëse e ka shumicën në Kuvend, mazhoranca ka dështuar ta zgjedh kryeprokurorin e Shtetit, Bordin e Trustit Pensional, Drejtorin e ATK-së dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore.