Është miratuar amandamenti i propozuar nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kërkoi që të fshihet fjalia e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, që parasheh që mjetet vetanake të komunave që kanë mbetur pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës, në bilanc bankar.
Pro këtij amandamenti kanë votuar 95 deputetë, derisa një ka abstenuar.
Gashi tha se kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.
“Në bazë të rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i LDK-së ka propozuar amandamentim në tekstin e Ligjit. Në Nenin 9, paragrafi 6, propozojmë që të hiqet fjalia “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiscal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit Kosovar në bilancin banker”. Kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, Ne e konsiderojmë se nëse mbetet në mënyrën e tillë, është dëmtim i jashtëzakonshëm i buxhetit lokal dhe është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Ai paralajmëroi se nëse nuk kalon ky amandament, LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse nuk kalon ky amandament, ky projektligj do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ne si Grup Parlamentar do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Gashi