Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, tha se BE-ja ka nisur të heqë masat ndaj Kosovës.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar gradualisht të heqë masat e vendosura në qershor të vitit 2023. Ky vendim hap rrugën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të ngushta me Europën”.
Ajo tha se çshtë gjë e mirë që anëtarësimi në Bashkimin Europian mbështetet nga shumica e njerëzve në Kosovë dhe nga një spektër i gjerë politik, raporton Gazeta Express.
Kallas tha se Kosova i përket familjes europiane, por nuk ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit në BE.
“Përparimi mund të arrihet vetëm përmes reformave të vazhdueshme. Plani i Rrritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe për integrim gradual në tregun e përbashkët evropian që po sjell mirëqenie për qytetarët”.
“Pra, Kosova duhet së pari të paraqesë një agjendë reformash dhe pastaj është në pozitë të mirë për të përfituar nga ky plan zhvillimi. Natyrisht, që kjo të ndodhë, Kosova ka nevojë për institucione funksionale që mund t’i zbatojnë në mënyrë efektive reformat. Prandaj i inkurajoj të gjitha palët që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të formojnë sa më shpejt një qeveri, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga mbështetja jonë”.
Kallas tha se vjen në Prishtinë për të dëgjuar dhe kuptuar më mirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
“Një përparësi kyçe mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë. Si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian, do të vazhdoj ta mbështes këtë proces. Për ata që ende dyshojnë në këtë proces, dua të jem i qartë: normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për qytetarët e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”.