“Nuk vendoset kali para qerres”. Ka qenë ky proverbi me të cilin ka operuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur linte të kuptonte, në fillet e para, se kishte pranuar Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, por se ajo është “qerrja”, pra hapi i fundit, e jo “kali” që duhet ta tërheq atë, pra marrëveshja. Me këtë idiomë ai mëshonte ndërkombëtarëve në logjikën e tyre negociouese se po e shtronin mbrapsht shkak-pasojën dhe renditjen e natyrshme të ngjarjeve. Me një stërthjeshtim të këtillë, ai prodhonte edhe kuptimësinë për shtratin elektoral të tij. “Nuk mund të servoj kafe pa filxhan”, ishte idioma e dytë e Kurtit. Thirrja ishte: njëherë Serbia të njohë konkretisht (de facto) Kosovën, pastaj shihet servimi në atë konkretësi edhe një aranzhim konkret komunash. S’ka ndryshe, besonte.
Megjithatë, pala serbe, do të dilte me logjikën e saj të “kalit” dhe “qerres” kur do të tërhiqeshin nga institucionet kosovare që nga nëntori i vitit të kaluar. Ivica Daçiq, ministër i jashtëm serb, do të arsyetohej nga përvoja e tij e nënshkrimit të Marrëveshjes së vitit 2013 kësisoji: njerëzit po harrojnë, por edhe Marrëveshja e nënshkruar nga unë dhe Thaçi ishte ajo që futi serbët në institucionet e Kosovës dhe në zgjedhje, dhe kjo kusht e kishte Asociacionin. Asociacioni nuk është bërë. Serbia, kësisoji, do të kishte kthyer Marrëveshjen e 2013 si “kalë” të saj me Asociacionin si ngasës, dhe kishte vendosur si “qerre” krjet atë që do pasonte mbrapa saj, shkruan Nacionalia.
Këtu, palët do të dilnin me “kuajt” dhe “qerret” e tyre. Serbia, i qëndroi kësaj “njëherë A pastaj B” deri në shkundjen e plotë të besueshmërisë ndërkombëtare ndaj Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ku top-diplomati amerikan Anthony Blinken dhe top-diplomati evropian, Josep Borrell, do t’i mëshonin Kosovës si asnjëherë më parë se ishte nisur me “kalë e qerre” të vete të premten e kaluar me një aparaturë të tërë forcash policore për të marrë me forcë godinat zyrtare komunale. Ishte një eksplozion jashtë dhe implozion brenda. Albin Kurti, s’do ta kishte për mbështetës as Shqipërinë, në nismën e tij.
Përtej çdo paramendimi, Aleksandar Vuçiq, ia doli ta vendos Kurtin në pozitë globalisht fajësuese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, në nivelet më të larta, do të kishin gishtin kah Albin Kurti, për disrupsion të madh të shkaktuar në pjesën veriore të vendit, në instalim me forcë të tre kryetarëve me nga 100 vota. Andaj edhe zgjidhjen më s’do ta kërkonin përmes tij, por përmes Vjosa Osmanit, e cila u pajtua të zhvillojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të vendit.
Por, zgjedhje po se po. Shtohej edhe diçka tjetër. Asociacioni. Kjo e fundit, në qëndrim të Kurtit, qerrja e jo kali. Përndryshe, i ra borisë së paralajmërimit BE-ja, “do të ketë pasoja serioze të marrëdhënieve me Kosovën”.
“Kemi tri kërkesa të qarta: Zgjedhje të reja menjëherë; garantim të pjesëmarrjes së serbve në ato zgjedhje; nisja e punës së themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe brenda Dialogut të Lehtësuar nga BE. Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, do të shkruante Josep Borrell, pas konkludimit të një takimi ku ishte Vjosa Osmani, Aleksandar Vuçiq, Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Josep Borrell.
Kurti do të merrte menjëherë një telefonatë nga Shtëpia e Bardhë, ku do të pajtohej për zgjedhje të reja. Një javë dramë, do të mbyllej me një telefonat nga një zëvendës në Këshillin e Sigurisë kombëtare. Kurtit, s’i eci qerrja.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve me Macron-in dhe Borrell-in, tha se ka marrë mbështetjen e tyre për ngjarjet në veri, për çka u shpreh se (nëse mund t’i besohet) njëherë themelimi i Asociacionit e vetëm “mëpastaj mund të bisedojmë për tjerat gjëra”.