Gazetari Vehbi Kajtazi e ka konfirmuar që pajisja gjurmuese GPS që iu vendos në veturë i përket AKI-së.
Kajtazi ka zbuluar se pajisja është vendosur me nënshkrim të Agon Bytyqit, zëvendësshef në AKI.
“Unë di shumëçka rreth kësaj. Ajo që mund të them është se po, pajisja i përket AKI-së. Është pajisje e prodhimit anglez, të cilën e posedon AKI-ja, e ka posedu edhe Policia e Kosovës. Po ashtu mund t’ju konfirmoj publikisht që pajisja është vendosë në mënyrë të kundërligjshme, është vendos me nënshkrim të zv/shefit të AKI-së, Agon Bytyqit”, ka thënë Kajtazi në Klan Kosova.
Drejtori i Gazetës Paparaci ka thënë se Agon Bytyqi është vëllau i Gresa Bytyqit, ish-kandidate për deputete nga Lista GUXO. Sipas Kajtazit qëllimi ka qenë zbulimi i burimeve dhe frikësimi i tij.
“Agon Bytyqi është vëllau i ish një kandidateje të Listës Guxo për deputete, është vëllau i Gresa Bytyqit, anëtare e Partisë Guxo. Të gjitha këto vendime janë ndërmarrë në mënyrë të kundërligjshme, sepse nuk ka pasë vendim të Gjykatës. Duhet vendim i Gjykatës Supreme. Kanë pasë për qëllim të më zbulojnë për të m’i zbuluar burimet dhe të më frikësojnë”, ka deklaruar ai.
Kajtazi ka thënë se në këtë rast i përfshirë është edhe Kujtim Shala, kryeinspektor në këtë institucion.
“Ekziston një urdhëresë e paligjshme e z. Agon Bytyqi, jo e shefit të AKI-së, sepse ai nuk ka qenë në atë kohë kur është nënshkru kjo. Për këtë është në dijeni edhe i përfshirë edhe Kujtim Shala, kryeinspektor që do të duhej të ndërmerrte masa. Është pjesë e organizimit edhe ai. Iniciativën për këtë e ka ndërmarrë personi të cilin e kam përmend më herët, që e ka udhëheq një zyre kundër Luftës Hibride, i cili është autor i shkrimeve të rrejshme kundër gazetarëve”, ka deklaruar Kajtazi.