Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se nuk kanë pasur ndonjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për të diskutuar rrugëdaljen nga kriza e zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Pak para seancës konstituive, ajo tha se AAK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se nuk do ta votojnë kandidaten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.
“Ne nuk presim asgjë. Nuk kemi pasur asnjë ftesë. Kjo shumica duhet t’i ketë votat. Gjithë kjo klasë politike duhet të angazhohet. Klasa politike që tenton që të marrë qeverinë duhet të angazhohet ta sigurojë shumicën e thjeshtë 61 vota. Ne nuk kemi pasur ndonjë ftesë, nuk kemi ndonjë njohuri, nuk e dimë a do të jetë kandidati i njëjtë për kryetar të Kuvendit apo do të ndryshojë. Qëndrimi ynë është i njëjtë: nuk do ta votojmë kandidatën për kryeparlamentare”, tha Kadrijaj./Gazeta Papirus/