Njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, e ka cilësuar mesazhin e sotëm të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit drejtuar qytetarëve të Kosovës për dialogun me Serbinë, si paralajmërim për fundin e Qeverisë Haradinaj, njofton ‘Gazeta Blic’.
Halitaj në shkrimin e bërë në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka shkruar se Veseli ka folur me zërin e presidentit Hashim Thaçit, ku i ka alarmuar qytetarët për pasojat që do t’i ketë Kosova, nëse faktori politik nuk është unik në qëndrimet kundrejt Serbisë.
Halitaj, po ashtu ka thënë se synimi Thaçit është që edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ta fus në qarkun e atyre që qeverisin.
Për më shumë, shkrimi i plotë i Agron Halitajt:
Mesazhi i sotëm i Kadri Veselit është paralajmërim për fundin e Qeverisë Haradinaj. Mjerisht edhe kjo Qeveri nuk po shkon për shkak të keqpërdorimeve e keqmenaxhimeve, por në emër të kauzave politike. Veseli ka folur me zërin e Thaçit, teksa ka alarmuar për pasojat që do t’i ketë vendi, në rast se faktori politik kosovar nuk është unik në qëndrimet kundrejt Serbisë. Thaçi ka dështuar ta luaj rolin unifikues, prandaj tash, më shumë se kurrë i duhen rrugët alternative që ia sigurojnë ecjen pa pengesa në procesin e dialogut në Bruksel. Synimi i Thaçit, padyshim është që ta fus LDK-në në qarkun e atyre që qeverisin. Por, skenarin se si e ka projektuar rrëzimin e Qeverisë, do ta shohim ditëve në vijim.