Sot u raportua për një rast të dhunës në familje që u denoncua nga një grua në Veternik të Prishtinës, e cila e njoftoi Policinë për dhunën fizike e kërcënimet e bashkëshortit të saj. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, në orët e pasdites, kur si rezultat i denoncimit Policia arriti ta arrestojë të dyshuarin.
Sipas burimeve të Sinjalit, personi që u ndalua për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale “dhunë në familje” është Naim Smaka, 47-vjeçar.
I njëjti dyshohet se i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij, duke e sulmuar me pjata, deri në atë pikë kur përleshja ka eskaluar edhe në kërcënime me vrasje.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që zgjidhja më e mirë është që të kërkohet ndihmë nga Policia, por kjo gjë e ka revoltuar të dyshuarin, i cili në momentin që gruaja e tij ka marrë vendim që ta njoftojë Policinë, ai e ka kërcënuar me fjalët se “ka me të vra, edhe vëllezërit ka me t’i mbytë”.
Por ky kërcënim nuk e ka ndalur viktimën, e cila ka arritur që të njoftojë Policinë dhe i dyshuari është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata.