Kryetari i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, bashkë me komisarin evropian për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim Johannes Hahn, do të qëndrojë sot dhe nesër në Beograd, ku do të realizojnë takime, të hënën, me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe, të martën, me kryeministren Ana Bërnabiq.
Sipas kabinetit të Vuçiqit, fokusi i bisedimeve do të jetë në prezantimin e Strategjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, transmeton Gazeta Express.
Pas vizitës së sotme, presidenti serb dhe mysafirët do të japin deklarata për mediat.
Në kuadër të turneut ballkanik, Junker dje qëndroi në Shkup dhe, në darkë, në Tiranë, ku iu bashkëngjit edhe euro-komisari Hahn. Ata ua përcollën mesazhin të dy vendeve se nuk kanë ardhur për të kumtuar data lidhur me nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, por për t’i inkurajuar që të vazhdojnë në rrugën drejt integrimeve.
Juncker pas takimit me Ramën gjithashtu tha se nuk është e thënë që Serbia sigurt do të pranohet në BE më 2025 dhe se përmendja e këtij afati ka qenë vetëm si një inkurajim për këtë vend, porse ky vit mund të jetë edhe “datë e mundshme për hyrje në BE” për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pas vizitës dyditore në Beograd, Juncker dhe Hahn të mërkurën do të udhëtojnë për Sarajevë, ndërsa të njëjtën ditë do të vizitojnë edhe Prishtinën. Në këto dy vizita ata do t’i shoqërojë edhe shefja e diplomacisë e BE-së Federica Mogherini. Turneu i tyre ballkanik përfundon të enjten, me vizitë kryeqytetit të Bullgarisë, Sofjes