Izraeli i ka bërë thirrje shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell që nuk është i mirëpritur në vend pas deklaratave që ai bëri në lidhje me politikat izraelite në Bregun Perëndimor
Borrell në një artikull të botuar javën e kaluar në “Project Syndicate” i krahasoi viktimat izraelite në sulmet palestineze me militantët e vrarë në operacionet e ushtrisë izraelite.
“Ekstremizmi po rritet nga të dyja anët. Sulmet pa dallim dhe dhuna po marrin shumë jetë. Dhuna nga ana e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor po kërcënon gjithnjë e më shumë jetën dhe jetesën e palestinezëve pothuajse gjithmonë pa u ndëshkuar. Për më tepër, operacionet ushtarake izraelite shpesh shkaktojnë vdekje të civilëve palestinezë, shpesh pa përgjegjësi efektive”, u shpreh Shefi i Politikës së Jashtme.
Mes të tjerash Borrell në artikull shprehet se as pala izraelite dhe as palestineze nuk janë gati për paqe. Ai u bëri thirrje fraksioneve palestineze të heqin dorë nga terrorizmi dhe të kapërcejnë ndarjet e tyre politike, ndërsa ai i kërkoi Izraelit të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve në tokat e pushtuara të pretenduara nga palestinezët, të ndalojë dhunën e kolonëve dhe të ofrojë për të negociuar një shtet të pavarur palestinez.
Këto deklarata shënojnë një tjetër përkeqësim të marrëdhënieve midis qeverisë së re të ekstremit të djathtë të Izraelit. Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen dënoi komentet në një bisedë me Borrell duke u shprehur se nuk ka vend për krahasim apo balancim midis viktimave të terrorizmit nga pala izraelite dhe terroristëve palestinezë të mbështetur nga Autoriteti Palestinez