Braziliani me nënshtetësi italiane, Jorginho edhe zyrtarisht është futbollist i Arsenalit.
“Topçinjtë” e kanë prezantuar mesfushorin nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale, shkruan Demokracia.com.
31-vjeçari ka nënshkruar kontratë e cila e mban në “Emirates Stadium” deri në verën e vitit 2024.
Pas prezantimit, Jorginho ka folur për herë të parë si lojtar i Arsenalit. Ai është shprehur i emocinuar për këtë kalim, ndërsa ka vlerësuar klubin e tij të ri.
“Jam shumë i emocionuar për këtë sfidë të re dhe mezi pres të jem në fushë për të qenë i sinqertë. Gjithçka ka ndodhur kaq shpejt. Isha pak i befasuar, por shfrytëzova rastin e kësaj sfide mahnitëse”, tha Jorginho për Arsenal.com, transmeton Demokracia.com.
“Është një fanellë e rëndësishme. Është një klub i mrekullueshëm, i madh, dhe unë jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që jam këtu”.
“Unë përpiqem të ndihmoj vetëm me përvojën që kam pasur në kohën time me klubet e tjera dhe çdo gjë që mund të bëj vetëm për të ndihmuar ekipin të arrijë gjithnjë e më shumë, ky është objektivi im. Gjithçka që mund të premtoj është se do të jap gjithçka për të përfaqësuar këtë klub”, shtoi mesfushori.
Jorginho i është bashkuar londinezëve nga rivali lokal Chelsea për 15 milionë euro.
Jorginho para Chelseas ishte pjesë e Napolit, ndërsa karrierë ka bërë edhe tek Hellas Verona.