Kryeministri britanik, Boris Johnson, deklaroi se ai pa një “analogji të ngushtë” midis presidentit rus Vladimir Putin dhe kryerësit të krimeve në Kosovë, Slobodan Millosheviq.
Johnson, përgjatë një interviste që pati me El Pais, pasi u pyet për analogjine që ia kishte bërë Putinit dhe Milloshevqit në parlament, bëri një tjetër krahasim mes Fushë Kosovës dhe Kievit, të përmendura si vatra nacionalizmi nga të dy diktatorët, shkruan lajmi.net.
“Sllobodan Millosheviqi identifikoi vendlindjen e nacionalizmit serb, në të vërtetë kombin serb, në Fushë Kosovë, dhe ai e frymëzoi popullin e tij me këtë ide të keqlindur se ai duhej të shpëtohej dhe të çlirohej. Ekziston një lloj analogjie shumë e ngushtë midis këtij gabimi katastrofik dhe asaj që presidenti i Rusisë ka thënë për Kievin dhe origjinën e fesë, kulturës dhe qytetërimit rus dhe objektivave të tij në Ukrainë”, deklaroi ai.
“Ajo që unë sigurisht besoj është se ka një analogji të ngushtë midis sjelljes së Putinit dhe viteve të fundit të Slobodan Millosheviqit. Është shumë interesante që të dy liderët kishin qenë në pushtet për një kohë të gjatë, të dy gjithnjë e më autokratikë, që të dy kërkonin të forconin pozicionin e tyre të brendshëm dhe gjetën një kauzë të madhe nacionaliste”, deklaron më tutje ai.
Kreu i ekzekutivit britanik ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është çështje e tyre [Ukrainës]. Do të duhej të bëhej mbledhja e provave. Nëse ka prova të përdorimit të municioneve të paligjshme, bombave thërrmuese, armëve me tytë, kjo do të duhet të dërgohej në Holandë”, deklaroi Johnson.
Beteja e Fushë-Kosovës së vitit 1389 u kthye në mit nga themeluesit e kombit serb, Vuk Karaxhiq, i cili ngjizi nacionalizmin serb. Më 1989-ën, Millosheviqi organizoi në Fushë-Kosovë mitingun e njohur nacionalist me mbi 1 milion pjesmarrës të ardhur nga Serbia, nga ku shpalli filozofinë e tij nacionaliste