Zyra e Presidentes së Kosovës ka dhënë një tender në vlerë të 273 mijë eurove për bileta të avionit. Me këto para është treguar se do të blihen 700 bileta.
Vjosa Osmani po planifikon që edhe gjatë këtij viti të shëtisë botën. Udhëtimet me avionë duket se do të jenë të shpeshta, pasi Presidenca po planifikon t’i blejë edhe 273 mijë euro bileta për avionë.
Tenderi për këtë blerje tashmë është dhënë, shkruan Demokracia.com.
“Shërbime të transportit ajror – bileta. Data e nënshkrimit te kontratës: 20.02.2025. Numri i tenderëve te pranuar: 2. Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 2. Emri zyrtar: ” AS TRAVEL CLUB ” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 273,003.00 euro”.
Presidenca ka treguar se me këto para do të blihen afërisht 700 copë bileta.
“Bazuar në vitet paraprake dhe në planin afatgjatë për planifikime të udhëtimeve, për shërbime të udhëtimit me aeroplan për nevojat e Zyrës se Presidentes të Republikës së Kosovës, nevojiten afërsisht 700 bileta për 24 muaj”.
Tutje thuhet se udhëtimet më të mëdha Osmani do t’i ketë në Evropë dhe një pjesë në shtete të ndryshme të botës.
“Kategoria e biletave do të jetë vetëm të kategorisë ekonomike, përveç ne raste të veçanta kur është e pamundur të sigurohet një biletë në kategorinë ekonomike. Destinacionet e udhëtimit bazuar në ndarje regjionale në vlera të përafërta do të jenë: 60% shtetet e Evropës ndërsa 40% pjesë tjera te botës” .
Në dosjen e tenderit është dhënë edhe sqarimi për çmimin e biletave.
“Vlera e biletës prej 390 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit”. /Demokracia.com/.