Enver Peci ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Gjykatës Supreme, pasi i njëjti është propozuar për dekretim nga presidentja, Vjosa Osmani, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, raporton Gazeta Sinjali.
Në takimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është miratuar dorëheqja e Pecit, teksa mbledhja po vazhdon me diskutimin për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së Gjykatës Supreme.
Ndryshe, më 24 nëntor 2022, Kuvendi i Kosovës i ka propozuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, emërimin e Enver Pecit si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Pas votimit të fshehtë, ku morën pjesë 87 deputetë, Peci kishte marrë 66 vota, të cilat janë të mjaftueshme për zgjedhjen e tij, ndërsa të pavlefshme kanë qenë tri fletëvotime.