Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të termit “Kosovo i Metohija” nga Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe fyerje për popullin dhe luftën e UÇK-së.
Ai ka theksuar se përdorimi i këtij emri, i lidhur me terminologjinë e Serbisë, është një ofendim për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, si dhe për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Gazeta Papirus.
Kjo është e papranueshme dhe mendoj duhet me i rregullu këto çështje sepse kjo është fyerje për Kosovën. Është fyerje për luftën e lavdishme të UÇK-së, është fyerje për qytetarin, për institucionet,” ka deklaruar Jashari.
Ai ka shtuar se këto incidente janë skandaloze dhe duhet t’i adresohen autoriteteve më të larta të Kosovës, duke përmendur kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Haxhiu.
”Mendoj se këto skandale dhe këto që po ndodhin, është mirë me iu adresu Kurtit dhe Haxhiut” tha ai për FrontOnline.
Jashari ka theksuar se përdorimi i këtij termi po prek thellë në vlerat e lirisë së Kosovës dhe në shenjën e sakrificës së luftës së UÇK-së, duke shtuar se kur preket lufta, preket gjithashtu edhe liria e vendit.
”Këto çështje po prekin thellë në lirinë e Kosovës, sepse kjo shprehje që po përdorët, më së rendi po atakohet vlera dhe lufta eUÇK-së dhe kur preket lufta prekët edhe liria e vendit” potencoi ai.
Ai ka ngritur një pyetje të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës, duke theksuar se, pas shpalljes së pavarësisë, duhet të shqyrtohet nëse Kosova është një shtet i plotë apo jo.
“Dhe shtrohet pyetja ne si kategroi e luftës, nga shpallja e pavarësisë a jemi shtet a s’jemi shtet’‘ ka përfunduar Jashari.