Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) po i përcjell me vëmendje programet e partive politike sa i përket fushës së arsimit në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për IndeksOnlinen se partitë kanë bërë premtime të mëdha, të cilat shpreson të realizohen.
“Ka premtime gogja të mëdha që zgjojnë entuziazëm, presim që të realizohen. Besoj që kandidatët me ekipet e tyre nuk i japin këto premtime sa për t’i thënë, sepse 9 shkurti vjen shpejt dhe ne i arkivojmë çfarë thonë, për t’ua kujtuar kur vijnë në pushtet”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka vlerësuar se shumica e partive kanë bërë përllogaritje të mira dhe premtime të arsyeshme, duke përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, jam i bindur se i ka llogaritur mirë gjërat me ekipin e tij, duke marrë parasysh edhe përvojën e tij të mëhershme. Po ashtu, edhe kandidati i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe programi i tij duken të mirë. Njësoj, besoj edhe për koalicionin AAK-Nisma”, është shprehur ai.