Të zhdukurit në Kizhevak u gjetën falë xhirimeve satelitore të cilat u siguruan nga amerikanët.
Kështu ka thënë Jahja Lluka, në Sytë 7 në Klan Kosova.
Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur, tha se sa ishte këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka vazhduar procesin e të pagjeturve në Kizhevak, i cili është projekt 5 vjeçar. Gjatë kësaj pune, sipas tij, kanë kërkuar nga NATO që të serohen me xhirime satelitore, por të njëjtit, kanë rekomanduar që të njëjtat t’i marrin nga shtetet anëtare.
Kësisoj, thotë se me ambasadën amerikane në Kosovë janë koordinuar që të njëjtat pamje të sigurohen, dhe përmes tyre janë gjetur “varret” e disa personave në Kizhevak të Serbisë.
Lluka thotë se edhe institucionet aktuale, duhet të kërkojnë pamje satelitore nga shtetet tjera, sepse kjo është qasja më e lehtë për t’u zbardhur fati i të pagjeturve. I njëjti, beson se pak po bëhet edhe nga institucionet aktuale për këtë kategori viktimash.