Brenda një periudhe të shkurtër ushtria amerikane do zhvendoset nga Kampi Bondsteel që është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Ndërsa një pjesë e vogël ushtarakesh do të ri-pozicionohen te Film City në bazën e KFOR-it në Prishtinë.
Në hapësirat e Bondsteel-it do të vendoset Forca e Sigurisë së Kosovës.
Sipas informatave të Albanian Post nga burime amerikane, reduktimi i madh i tërheqjes së ushtarëve do të ndodh gjatë muajit maj.
Ndërsa i gjithë personeli civil shqiptar brenda kampit në fjalë, nuk do të angazhohen edhe nga FSK-ja, praktikisht do të mbetën të pa punë.
Sipas të njëjtave burime, brenda këtij viti do të fillojë ndërtimi i një baze tjetër amerikane në Kosovë.
Kjo bazë do të nderohet në pikën më të lartë të Bjeshkëve të Rugovës, saktësisht afër kufirit me Malin e Zi.
Pra, një bazë ushtarake për Monitorimin e Hapësirës Ajrore.
Megjithatë, zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në KFOR, Jace Rivard, e ka mohuar se forcat amerikane do të zhvendosen nga Bondsteeli.
“Forcat amerikane nuk do të tërhiqen nga kampi Bondsteel apo Kosova”, tha Rivard për Albanian Post.
“Njësia e Ushtrisë Amerikane që do na zëvendësojë në mars, aktualisht po kryen trajnime në Shtetet e Bashkuara për vendosjen në Kosovë për të na zëvendësuar si KFOR30”.
Ai shtoi se “ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas mandatit tonë që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Teknike Ushtarake”.
Kur hynë ushtarët amerikanë në Kosovë?
Forcat amerikane hynë në Kosovë në qershor të vitit 1999 pas bombardimeve të NATO-s.
SHBA ranë dakord të sigurojnë një forcë prej rreth 7 mijë ushtarëve amerikanë si pjesë e KFOR-it për të ndihmuar në ruajtjen e një force të aftë ushtarake në Kosovë dhe për të siguruar kthimin e sigurt të refugjatëve kosovarë.
SHBA mbështet KFOR-in duke siguruar selinë dhe trupat për një nga katër sektorët e NATO-s.
Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-ve në Evropë njofton ngritjen e shtabit në Shqipëri
SHBA-të kanë planifikuar të ngrenë një bazë ushtarake në Shqipëri, si një lëvizje për të garantuar stabilitetin e rajonit dhe një qasje më të thjeshtë ushtarake në pjesën e Evropës Lindore.
Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-ve në Evropë (SOCEUR) ka marrë vendimin për të ngritur në Shqipëri një shtab të bazës së Forcave të Operacioneve Speciale (SOF), me rotacion.
Sipas tyre, vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprim më të madh me shqiptarët, akses të rëndësishëm në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
“Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare, gjë që e bën vendosjen e një shtabi të përparuar në vendin aleat një përshtatje të natyrshme. Plus, ky vend redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, shkruhet në deklaratën e Komandës.