Në nëntor të vitit 2024, Sokol Osmani u vra në mënyrë tinëzare në qytetin e Gjilanit.
Sokoli ishte djali i vetëm i familjes Osmani.
Aktualisht, në paraburgim po mbahen dy persona të dyshuar si të përfshirë në këtë rast, Valmir Salihu dhe Florian Mitev, të cilët u dorëzuan pas kërkimeve të gjera të Policisë së Kosovës.
Babai i Sokolit, Afrimi, rrëfen dhimbjen dhe tronditjen e përjetuar nga kjo tragjedi.
“Sokoli, ditën tragjike kur ndodhi rasti, ka dalë afërsisht nga shtëpia rreth orës 8:30. Rastin e kemi kuptuar prej disa shokëve të tij. Fillimisht na njoftuan që është në spital, i plagosur. Kur kemi shkuar aty, nuk e kemi gjetur. Ndërkohë, kemi shkuar në vendin ku ka ndodhur rasti tragjik. Aty i pamë organet policore, të cilat e kanë kryer punën e tyre. Djali ka qenë i shtrirë, i mbështjellë, dhe afërsisht për një orë kemi qëndruar aty. Ata e kanë marrë dhe e kanë çuar në IML, dhe të nesërmen e kemi marrë dhe e kemi varrosur,” ka thënë ai.
Babai i Sokolit, i tronditur nga humbja e papritur, përshkruan se i biri nuk kishte dhënë asnjë shenjë që mund të ishte në rrezik ose mund të ketë pasur problem me ndonjë person.
“Ka qenë në disponim të mirë, pa dhënë shenja se ka pasur ndonjë ngatërresë. Prej momentit që ka dalë nga shtëpia, nuk kemi pasur më kontakt me të.”
Megjithatë, pas ngjarjes tragjike, disa shokë të tij njoftuan familjen se Sokol Osmani kishte pasur një ngatërresë para dy vitesh me disa persona.
“Pas rastit, me ndërmjetësimin e miqve, ata na kanë dërguar fjalë se nuk janë të përfshirë në këtë rast dhe atë ditë i kemi liruar nga çdo përgjegjësi, familjarët, jo ata. Me ta të merret ligji dhe besojë të marrin dënimin e merituar.”
Afrim Osmani gjithashtu sqaron se i biri nuk kishte pasur ndonjë afërsi të veçantë me personat e dyshuar.
“S’ka qenë hiç i afërt me ta (dorasit). Janë njohur, por s’kanë pasur raporte të tjera shoqërore.”, sqaron ai.
Sokoli, në moshën 36-vjeçare, kishte plane për të krijuar familje. Ai kishte punuar si kamarier dhe ishte shumë i lidhur me familjen e tij, duke lënë pas kujtime të shumta dhe një boshllëk të thellë në zemrat e të afërmve.
“Janë disa raste të caktuara, ndonjë festë familjare, që na mungon shumë… thjesht na mungon.”, shton babai i Sokolit.
Javë më parë në Gjykatën Themelore të Gjilanit është mbajtur seanca fillestare.
Derisa dy të dyshuarit ndodhen në paraburgim, me zbardhjen e rastit po merren organet e hetuesisë.