Policia e Shtetit shqiptar ka sekuestruar disa laptopë dhe pajisje të tjera elektronike në Kampin e Muxhahedinëve në Durrës (MEK), por mbetet e paqartë nëse do të mund t’i shërbejnë hetimit të Prokurorisë së Posaçme, e cila deri tani nuk ka bërë një deklaratë sa i përket të dhënave.
Ky aksion i policisë u shoqërua me përplasje mes efektivëve dhe muxhahedinëve të cilët kundërshtuan aksionin dhe akuzuan policinë për dhunë. Madje sipas tyre, një iranian u vra nga forcat policore.
Ndërkohë të paktën 19 prej tyre ndodhet tek spitali i Traumës në Tiranë dhe 3 të tjerë në QSUT për të marrë trajtim mjekësor.
Për të folur mbi këto zhvillime, në konferencë për media doli ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi i cili u shpreh se garanton se vdekja në kampin e MEK nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i policisë.
“Ai personi që ka vdekur sot në kamp, ju garantoj se vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i policisë. Po presim ekspertizën mjeko-ligjore, ka pamje nga policia gjatë ushtrimit të kontrollit dhe ka pamje nga vetë MEK që e vërtetojnë këtë gjë. Nuk është prekur një anëtar me dorë në kamp, asnjë person nuk është prekur”.
“Do të presim ekspertizën mjeko-ligjore. Ai është një burrë i moshuar diku te 76 vjeç. Ka vdekje në kamp që ndodhin rëndomë sepse është një komunitet që jeton dhe po plaket aty. Ne kemi pasur kujdesin e duhur që të mos krijojmë incidente brenda kampit, por vetëm të zbatojmë aksionin brenda kampit”, u shpreh ministri.
Ai tha se ndjen keqardhje dhe indinjatë me reagimin e anëtarëve të MEK ndaj Policisë së Shtetit.
“Më vjen keq sepse Shqipëria u ka ofruar atyre gjithçka në lidhje me strehimin e tyre humanitar. Në vijimësi u ka ofruar ndihmë dhe siguri, madje edhe mbrojtje ndaj gjithë kërcënimet që vijnë nga shërbimet sekrete të Iranit. Për më shumë se 10 vite ka jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë. Është e paimagjinueshme dhuna dhe veprimet që kanë bërë ndaj policisë së shtetit. Është shkelje ligjore për këto që jeton këtu dhe që ka pranuar të jetojnë brenda ligjeve tona, dhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që u kemi ofruar”, deklaroi ai.
MEK, u shpreh më tej ministri, kanë një marrëveshje për t’u strehuar në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare dhe kjo, thotë ai, është e qartë në marrëveshje dhe atyre u ndalohet që të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik të çdo natyre e forme.
“Ne herë pas here kemi pasur shqetësime për mosrespektim të marrëveshjes, pasi ata kanë bërë aktivitete publike politike. Aktiviteti i tyre kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut e cila ka filluar më shumë se një çështje penale për këtë gjë”, theksoi ministri i Brendshëm shqiptar.
I pyetur nëse është menduar një prishje e marrëveshjes për strehimin e muxhaedinëve për qëllime humanitare, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se marrëveshja do vazhdojë, por anëtarët e opozitës iraniane duhet ta kenë të qartë se duhet të zbatojnë ligjin shqiptar sipas vetë marrëveshjes që ata kanë nënshkruar me qeverinë.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në po të njëjtën konferencë, tregoi se çfarë ndodhi sot në kampin MEK. Ai thotë se në 17 objekte janë gjetur salla serverësh dhe pajisje kompjuterike. Në këtë moment, tha ai, ka nisur dhe rezistenca.
“Në orën 8 të mëngjesit, së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë kemi thirrur në takim të 6 drejtuesit e kampit MEK, për 1 orë kemi bërë kontroll. Kemi gjetur mirëkuptimin e tyre në momentet e para. Kërkuam hapje të portave respektive, bashkë me drejtuesit kemi hyrë në ambientet e territorit. Më pas ka nisur faza e kontrollit, ku për 2 orë vumë re salla serverësh dhe kompjuterë, më pas nisi një rezistencë e tyre duke mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës. U kalua në vetëpërmbajtje ekstreme. Nuk është përdorur dhunë ndaj tyre. Nuk kemi gjetur mbështetje. I vetmi mjet që u përdor ishte spraji individual i punonjësve. Nga ana jonë u përdor vetëm spraj. Janë dëmtuar 15 policë, janë lënduar 21 shtetas që ndodhen në 2 spitale të Tiranës, tani 15 kanë lënë spitalin”, deklaroi Rrumbullaku.
Në tërësi, ai tha se të gjithë veprimet e kryera kanë qenë të ligjshme, pa kaluar kufirin e përdorimit të forcës.
Rrumbullaku tha se gjatë operacionit në kampin e MEK, policia ka sekuestruar 96 njësi kompjuterike të cilat po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.
“Janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan t’i asgjësonin me djegie anëtarët e MEK. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”, tha Rrumbullaku.
Çfarë është MEK
Organizata Opozitare e Iranit (MEK) është strehuar për herë të parë në Shqipëri në vitin 2012, pasi u dëbuan nga Iraku. Kjo lëvizje u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit dhe vepron në emigrim. Pas mbërritjes së tyre në Shqipëri, disa politikanë të nivelit të lartë amerikan vizituan Tiranën, duke e falënderuar atë për strehimin e grupit.
Si u strehua MEK në Shqipëri?
Organizata Muxhahedinët Popullorë të Iranit konsiderohej deri para pak vitesh organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, respektivisht deri më 2008 dhe 2009, përfshirë edhe vetë SHBA-në deri në vitin 2012. Vendosja e muxhahedinëve në Shqipëri daton në vitin 2012, kur qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Sali Berisha pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë të MEK. Qeveria amerikane duhej t’i shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend. Më tej, në 2014-ën, qeveria me kryeministër Edi Ramën, pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme.
Në shkurt 2016 në Shqipëri mbërritën, nga kampi i tyre në Irak, 22 muxhahedinë, duke e çuar numrin total të muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri në rreth 750. Por gjithsej në Shqipëri deri më tani janë strehuar 3000 muxhahedinë.
MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.
Çfarë e lidh “Homeland Justice” me MEK dhe sulmet kibernetike?
Vitin e kaluar, Shqipëria është përballur me një sulm kibernetik, i cili gjunjëzoi komplet shtetin shqiptar. Sulmi ka ardhur nga Homeland Justice, organizatë e mbështetur nga Irani. Fillimisht janë sulmuar të gjitha sistemet me të dhënat e qytetarëve, duke nisur nga aplikacioni e-Albania, ku ndodhet çdo e dhënë e qytetarëve që nga dokumentet mjekësore, të dhënat civile e deri çdo informacion sensitiv i shtetit shqiptar.
Po ashtu sulmi kibernetik vazhdoi duke bllokuar sistemin TIMS dhe deri te të dhënat e AKSH-it. Sipas informacioneve dhe të dhënave nga organizatat botërore si dhe DASH-i, dolën në përfundimin që ky sulm është bërë nga Irani. Pas kësaj, qeveria shqiptare mori vendimin për të larguar komplet ambasadën dhe punonjësit iranian nga Shqipëria.