Udhëheqësja e qendrës për regjistrimin e automjeteve në Mitrovicë të Veriut, Ardita Ademi-Istrefi, ka bërë të ditur se deri më tani janë regjistruar gjithsej 18 automjete nga serbët.
Në një lidhje direkte në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo ka shtuar se nëpër qendrat e regjistrimit të automjeteve nuk ka asnjë presion të ushtruar ndaj atyre që konvertojnë targat nga ato ilegale në RKS.
“Në të gjitha qendrat për regjistrim të automjeteve janë të regjistruara 18 automjete. Në regjionin 06 janë gjashtë automjete, 02 janë shtatë automjete, ndërsa në 04 janë automjete dhe në 01 janë dy automjete”.
Sipas saj, interesimi për kthimin e targave nga ilegale në ato RKS ka qenë qysh në fillim të udhëzimit administrativ.
“Vetëm dje kemi pasur tri regjistrime prej targave ilegale në RKS. Në qendër të regjistrimit të automjeteve nuk ka asnjë presion”.
“Për ta lehtësuar edhe më tutje procesin, tani kohëve të fundit është ndryshuar edhe udhëzimi administrativ. Çdo qytetar që bën konvertim të targave mund ta bëjë atë në cilëndo qendër”.
“Qytetarët nuk e paguajnë tarifën doganore dhe administrative. Paguajnë vetëm taksën rrugore dhe ekologjike”.