Ambasadori i ri i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, pritet të arrijë në Prishtinë gjatë muajit të ardhshëm. Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se ambasadori Hovenier planifikon t’i prezantojë kredencialet e tij në janar të 2022’ës.
“Ambasadori i emëruar Hovenier planifikon të arrijë në Prishtinë dhe t’i prezantojë kredencialet e tij muajin e ardhshëm, në janar të vitit 2022”, tha ky zëdhënës për Gazetën Express.
Ambasadori Jeffrey Hovenier është betuar të martën para Nënsekretares amerikane të shtetit për çështje politike Victoria Nuland si ambasador i ri në Kosovë.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka publikuar disa fotografi nga ceremonia e betimit të ambasadorit Hovenier.
Në seancën dëgjimore më 5 tetor të këtij viti, ambasadori Jeffrey Hovenier para Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit amerikanka thënë se prioritet i tij dhe pjesë e diplomacisë amerikane do të jetë inkurajimi i pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë atë.
Ai ka thënë poashtu se prioritet i tij do të jetë përkrahja për Kosovën si shtet sovran, si dhe përkrahjen për dialogun i cili duhet të përqëndrohet në njohjen reciproke.
Ndryshe, Jeffrey Hovenier është konfirmuar nga Senati, si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në nëntor të këtij viti.
Lajmi ishte bërë i ditur në faqen zyrtare të Senatit amerikan.
“Jeffrey M. Hovenier nga Uashingtoni, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Kategoria e Ministrit-Konsulentit, do të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Votimi i nominimit është vendosur në Kalendarin Ekzekutiv të Senatit më 19 tetor 2021. Nominimi është pranuar nga Presidenti më 13 korrik2021″, thuhet në njoftimin e Senatit.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvëndëjë, ambasadorin e deritanishëm, Philip Kosnett.