Tifozerisë së Dritës, “Intelektualëve”, iu ndalua prezenca në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan për derbin mes Prishtinës dhe Dritës, e zhvilluar të mërkurën (sot).
FC Prishtina pak ditë më parë njoftoi se për shkak të sigurisë në stadium, tifozëve gjilanas iu ndalohet prezenca në shkallët e stadiumit, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, disa tifozë të Dritës kishin arritur të futeshin në stadium për disa minuta, për t’u larguar më pas nga policia. Ata madje shpalosën edhe një mesazh.
“Pse gjithmonë ne” – thuhet në mesazhin e Intelektualëve, duke përmendur dy data në të cilat i është ndalur prezenca.
Fjala është për vitin 2018 në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, ku Drita u shpall kampione e Kosovës pas 15 vjetësh, e që tifozëve “bardhekaltër” iu mundësua të jenë të pranishëm vetëm 100 prej tyre brenda stadiumit “Shahin Haxhi Islami”, pikërisht në takimin vendimtar kundër Prishtinës.
Ndryshe, Drita triumfoi 1:2 në derbin e sotëm kundër Prishtinës, në kuadër të javës së 21-të kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.