Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje për qeveri të ardhshme.
Një deklaratë të tillë Ahmet Isufi nga AAK-ja ka thënë se ky subjekt politik e konsideron të pakuptueshme dhe interesim për apetite për të hyrë në qeveri.
Sipas tij Limaj nuk është dashur të deklarohet kështu përderisa akoma janë duke u numëruar votat dhe nuk ka rezultat përfundimtar.
“Ne kemi qenë në një koalicion dhe konsiderojmë që është e pakuptueshme se derisa janë duke u numëruar votat dhe nuk kemi rezultatin përfundimtar të dilet me një deklaratë të tillë e cila krijon konfuzion e madje paraqet edhe interesim për apetite për të hyrë në qeveri, gjë që nuk i konvenon në këtë rast Kosovës për shkak se është paralajmëruar se do të ketë një qeverisje të opozitës e cila do të mund ta kthejë Kosovën në binarë”, ka thënë Isufi për TëVë1.
Ai ka shtuar se për AAK-në Limaj do të ishte treguar më i ndershëm dhe fer nëse paraprakisht do të konsultohej me koalicionin.
“Pikërisht deklarimi i tillë mendojmë se duhej të konsiderohej së pari në koalicion meqë kemi qenë deri tani dhe edhe pse ne jemi parti të veçanta në një koalicion megjithatë është e ndershme dhe fer që të bëhej një konsultim në mënyrë që të kishim një qëndrim të përbashkët”, ka deklaruar ai,
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të enjten gjatë një interviste ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve, pasi në vlerësimin e tij vendi ka nevojë urgjente për një qeverisje stabile, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe rajonale.
I pyetur nëse ka vija të kuqe me ndonjërën nga partitë politike kryesore në vend, ai ka thënë se në kontekstin e çështjeve nacionale është i gatshëm të ulet në tavolinë me çdo parti dhe se është i gatshëm të ndihmojë çdo kryeministri, përfshirë edhe Albin Kurtin.
“Unë jam i gatshëm me i ndihmu kryeministrit tim që i shërben vendit. Unë jam i gatshëm me i ndihmu kryeministrit, nëse kërkon ndihmën time në shërbimin të vendit. Gjithmonë (edhe nëse është Albin Kurti). Për këto tema nacionale, që jam duke folur, gjithë. Gjithë kam qenë”, ka deklaruar Limaj.