Nënkyetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili ka deklaruar pas përfundimit të takimit me kryetarin në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca se kryetari i Kuvendit të Kosovës i takon partisë fituese.
Ismaili ka treguar se pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës i takon partisë së parë duke nënkuptuar se i përket Lëvizjes Vetëvendosje.
“T’i bëjmë të gjithë hapat e duhur që ta kemi Kuvendin e Republikës së Kosovës, të kemi fillimin e themelimit të institucioneve të vendit. Me të 15-tin duhet të gjithë të japim kontributin që të fillojë konsittuimi i Kuvendit dhe më pastaj të fillojë edhe hapat e tjerë të cilët janë procedurat ligjore, kushtetuese në mënyrë që vendi të ketë qeveri. Po besoj që Kuvendi dhe gjithmonë kryetari është zgjedh dhe nuk shohë ndonjë pengesë. Mendoj që i takon partisë së parë që t’i krijoj kushtet edhe për votimin e Kryetarit edhe për votimet tjera. Andaj ta presum atë ditë”, ka thënë ai.
Ismaili para gazetarëva ka treguar edhe për pozicionin e PDK-së për vijat e kuqe , duke besuar se kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza mund të krijoj Qeverinë e Kosovës nëse dështon të bëjë partia fituese.
“Programi jonë dhe fushata jonë ka qenë përafruese dhe e hapur për të gjithë. Andaj, ideja e vijave të kuqe nuk do me thënë gjithnjë në kuptimin e koalicioneve, do të thotë në kuptimin e një diskutimi që mundet me ndodhë për diçka të caktuar, mirëpo kjo jo doemos sjell vija të kuqe për koalicion apo diçka të tillë. Nuk ka qenë ajo logjikë. Prandaj, si opozitë, kemi thënë, sa i përket formimit të qeverisë, i takon partisë e cila ka dalë e para, të krijojë, ta ketë aftësinë, bashkëpunimin, komunikimin, ta krijojë qeverinë. Në qoftë se nuk arrin, është obligim institucional i partisë së dytë që të ketë mundësi bashkëpunimi me partitë tjera”, tha ai.
Ismaili është i binduar se koalicion me partitë e opozitës mund të formojë kandidati i tyre për kryeministër, Bedri Hamza.
“Unë e kam bindjen që në qoftë se ka një paaftësi të partisë së parë për me realizu qeverinë, unë kam një bindje që z. Hamza është një person mjaft i aftë për me e ndërtu një koalicion që e ka në fokus atë që e ka premtu: zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mendoj që është një person që pranohet nga një shumicë e mjaftueshme në Kuvend atëherë kur i vjen rasti. Mirëpo, si me thënë, mos të bëjmë hop ende pa mbërri në atë pozicion”.
Gazetarët e kanë pyetur Ismailin se a do të ketë peshkim të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
“Natyrisht që ka unitet. Ne jemi legjislaturë e cila jemi mjaft të bashkuar dhe të zellshëm për me përfaqësuar Partinë Demokratike të Kosovës(PDK). Besoj që do të kemi një përfaqësim të jashtëzakonshëm. Nuk vjen në shprehje të pakohem si grup. Mirëpo, a do të rritem si grup nuk dihet”, ka thënë Ismaili.