Rërë e bardhë dhe gjelbërim i harlisur tropikal… nuk është Bali ose Bora Bora, por një nga megaprojektet e Dubait. Në ishujt Anantara, të vendosur vetëm 15 minuta larg vijës bregdetare të qytetit, po ndërtohet një resort superluksoz.
Ndryshe nga resortet e tjera, ky vendpushim është krejtësisht i izoluar. Askush nuk mund të hyjë në ishull pa regjistruar pasaportën e tij, duke iu siguruar kështu atyre që vijnë, përfshirë edhe anëtarët e familjes mbretërore, privatësinë dhe sigurinë maksimale.
Luks marramendës
Tetëqind e pesëdhjetë pemë kokosi janë sjellë nga Omani, si dhe 500 palma dhe 4000 varietete të tjera tropikale. Gjithashtu, aty gjendet një serrë në të cilën rritet një shumëllojshmëri e pemëve frutore tropikale. Përveç bimëve, ishulli është kthyer edhe në shtëpinë e rreth 200 zogjve tropikalë dhe 12 pallonjve të egër që lëvizin përreth zonës.
Resorti ka 70 hyrje, ku 40 prej tyre janë vila me pishinë. Aktivitetet që vizitorët mund të shijojnë janë të shumta, duke filluar nga tenisi te trajtimet spa, palestrat moderne, kinemaja nën yje dhe sportet ujore. Projekti që po realizohet prej gati dy dekadash, ishte ideja e biznesmenit të Dubait, Sulltan Ahmed Bin Sulayem.
Megjithatë, nuk janë vetëm të pasurit dhe të famshmit që mund të shijojnë këtë vendpushim unik. Me tarifa që fillojnë nga 440 dollarë për dhomat me pamje nga deti, resorti i ri Anantara është në të njëjtin nivel me shumë nga resortet e tjera të Dubait, vetëm se çdo dhomë është vetëm disa hapa larg rërës dhe detit.
Turistët kanë mundësi të shijojnë gjithashtu, ushqimin nëpër restorantet mesdhetare, arabe dhe indiane duke shijuar në njërën anë pamjen e plazheve dhe nga ana tjetër sfondin mahnitës të qiellgërvishtësve Burj Khalifa dhe Burj Al Arab.
Në një përpjekje për të kompensuar dëmin e ndërtimit në zonë, ishujt janë tani shtëpia e një prej fidanishteve më të mëdha të koraleve në botë, pasi ekspertët detarë po kultivojnë një ekosistem të ri detar./A2NN