Ish-shefi i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë (VBA), gjenerali Momir Stojanoviq, ka thënë sot se për momentin nuk është realiste të dërgohen 1000 ushtarë serbë në Kosovë.
Duke komentuar deklaratën e drejtorit të Zyrës për Kosovën dhe Kosovën, Petar Petkoviq, i cili bëri të ditur mbrëmë se Beogradi do të shqyrtojë mundësinë e kthimit të deri në 1000 pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në Kosovë në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe paralajmërimin e njëjtë të dhënë nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, Stojanoviqi tha për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se Rezoluta 1244 parasheh që ushtarët serbë në Kosovë do të mund të ruajnë vetëm objektet fetare dhe zonën kufitare me armë.
“Nuk është realiste të dërgohen tani 1000 ushtarë serbë në Kosovë. Autoritetet në Beograd, të udhëhequra nga Aleksandar Vuçiqi, prej vitesh nuk e përmendin Rezolutën 1244, duke thënë se dokumenti është një ‘letër e vdekur’. Tani që politika e Vuçiqit për Kosovën është rrënuar, ata i referohen Rezolutës 1244 si me u kap për fije kashte”, tha Stojanoviqi.”, tha Stojanoviqi.
Sipas tij, Vuçiqi i ka vënë në pozitë shumë të vështirë serbët në Kosovë, sepse në dhjetë vitet e fundit ia ka dorëzuar pushtetit të Prishtinës gjyqësorin, policinë, energjinë, telekomunikacionin, kadastrën, mbrojtjen civile, targat…
“Në Bruksel Vuçiqi ka pranuar gjithçka që i është kërkuar nga zyrtarët kosovarë dhe evropianë dhe nuk ka luftuar për asnjë interes serb”, ka theksuar Stojanoviqi.
Ai tha se fatin e Kosovës e vendosin njerëz që nuk kanë lidhje me Kosovën.
“Fatin e Kosovës e vendosin njerëz që nuk kanë lidhje me Kosovën, si Aleksandar Vulin, Marko Gjuriq, Petar Petkoviq… Dhe në Kosovë pushtetarët në Beograd instaluan kriminelë dhe njerëz të paarsimuar përmes Listës Serbe që vendosin për problemin më të madh me të cilin është përballur Serbia në 100 vitet e fundit. Serbët e Kosovës nuk mund të përfaqësohen nga Goran Rakiqi, i cili nga elektricist u bë doktor i shkencave ekonomike dhe ligjërues në universitet. Serbëve në Kosovë, nga Beogradi u vjen vetëm frikë. Natyrisht që Albin Kurtit e tërë kjo përshtatet dhe se pasojat do t’i bartë populli serb”, ka vlerësuar Stojanoviq.
Ai shtoi se dikush nga Perëndimi e ka “instrumentalizuar” Kurtin, “i cili në tre, katër muajt e fundit ka bërë lëvizje për të cilat Beogradi nuk ka përgjigje adekuate”.
“Kurti, me mbështetjen e dikujt, bëri disa lëvizje që kërcënuan situatën e sigurisë në Kosovë. Ka mundësi që qëllimi të jetë përshpejtimi i marrjes së vendimit përfundimtar për Kosovën duke e përkeqësuar situatën në terren”, konsideron Stojanoviqi.
Sipas tij, shteti i Serbisë do të duhet të marrë një “rrugë më të fortë” kur është fjala për Kosovën.
“Shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, tha se kur është fjala për Kosovën, ka ‘vija të kuqe’ që Beogradi nuk do t’i kalojë. Daçiqi duhet të thotë se cilat janë ato vija, sepse pa Kosovën Serbia nuk mund të mbijetojë. Serbia duhet të mbrojë popullin serb në Kosovë”, u shpreh ai.
“Nëse Beogradi nuk i mbron serbët në Kosovë, do të ketë protesta masive dhe nuk përjashtohet mundësia e emigrimit kolektiv apo konflikteve të armatosura”, shtoi ai.
Sipas tij, të gjitha çështjet sociale dhe politike në Serbi i vendos vetëm një njeri – Aleksandar Vuçiq, “që do të ketë një efekt katastrofik në shembullin e Kosovës”.
“Nuk do të na del mirë që një njeri ka vendosur gjithçka për dhjetë vjet. Gjithçka që Vuçiqi nënshkroi në Bruksel ishte një tradhti ndaj interesave kombëtare dhe në mediat e regjimit u prezantua në publik si ‘fitore e madhe’. Askush s’e di se çfarë bisedash për Kosovën po udhëheq Vuçiqi me zyrtarët evropianë, ne e dimë vetëm se pasojat janë katastrofike”, ka përfunduar Momir Stojanoviq.