Zoran Stijoviç, ish shef i analitikës së sigurimit të shtetit në Kosovë brenda UDB-së, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin nga Shqipëria Idro Seferin, për televizionin Top Channel. Në pyetjen e gazetarit se a kishte informata për veprimet e para të UÇK-së, ai përgjigjet;
“Kemi patur mjaft informacione, që në fillim me aktivitetet tona kemi ardhur deri tek të dhënat se çfarë po ndodhte. Kemi pasur një operacion që në vitin 1991. Kemi dokumentuar se persona nga Kosova, Metohija dhe Maqedonia ishin duke përgaditur ushtrime në territorin e Shqipërisë. Kemi arritur të fusim një numër njerëzish në këto përgaditje dhe shpejtë kemi pasur informacione me emra dhe mbiemra. Në këtë fazë kemi patur përparësi. E kemi ditur se si shkojnë. Ka qenë shkrimtari Mehmet Kraja, pastaj avokati Ragip Gashi nga Prishtina dhe njerëz të tjerë që të mos flas me emra. Ka kaluar kohë. Përmes kësaj kemi ardhur deri tek listat. Në grupin e parë nga figurat tani në Kosovë kanë qenë Sali Çeku dhe Zahir Pajaziti, të dy nuk jetojnë më. Çeku humbi jetën në Kufi, ndërsa Zahiri në Vushtrri në një aksion“, shtoi ai.