Ish-prokurori Elez Blakaj, ka paralajmëruar parregullsi në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.
Blakaj ka kritikuar Këshillin Prokurorial i Kosovës duke thënë se po punojnë në ruajtjen e monopolit dhe jo në interes të qytetarëve. Madje ai thekson implikimin e një grupi të dyshimtë në përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
“Kur interesat e një grupi e sfidojnë interesin publik! Edhe në proceset e privatizimeve në Kosovë të udhëhequra nën drejtimin e AKM-së kemi parë procese të cilat formalisht janë mbuluar me letra, madje as aty, nuk është arritur në çdo rast të dalin fitues shantazhuesit, kërcënuesit dhe dhunuesit, pavarësisht strategjive të përdorura, ndërsa Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk po ua huq asnjëherë! Të gjithë kemi parë këto vitet e fundit se si të njëjtit persona kanë bredhur në vazhdimësi nga një zyre tek tjera, duke e ndihmuar dhe favorizuar njëri-tjetrin në pozita të ndryshme nga Këshilli Prokurorial për në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe po ashtu në pozita tjera në cilësi të kryeprokuroreve dhe anasjelltas, me qëllim të ruajtjes se monopolit dhe pushtetit për njëri tjetrin, duke i trajtuar këto institucione si të ishin pronë private! E fotografi të njëjtë presim të shohim edhe tani me rastin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit të Shtetit”, shkruan ai.
Tutje Blakaj thotë se pozita e Kryeprokurorit është me interes të veçantë dhe ka akuzuar KPK-në për mungesë të integritet gjatë kryerjes së veprimeve. Ai ka thënë se këto keqpërdorime janë evidentuar edhe me raporte ndërkombëtare.
“Qasja e Këshillit Prokurorial, sjelljet dhe veprimet e tyre, skandalet e shumta, vendimet e kundërligjshme, konflikti i interesit, transferet dhe avancimet me standarde të dyfishta, qartë kanë shpërfaqur fotografinë e vërtetë dhe mungesën e integritetit të këtij institucioni. Madje, për disa nga problemet brenda këtij institucioni kanë reaguar edhe raporte e opinione ndërkombëtare, si dhe partner e miq të cilët e kanë ndihmuar në vazhdimësi Këshillin Prokurorial! Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është pozitë me interes të lartë publik, andaj edhe detyrat dhe përgjegjësit qe ka Kryeprokurori janë drejtpërdrejtë të ndërlidhuara dhe në shërbim të publikut, e jo të grupit të njëjtë të personave të cilët po përgatiten ta zyrtarizojnë emrin e personit i cili është pjesë e këtij grupi!”, shtoi ai.
Tutje ai ka thënë se pavarësisht zhvillimeve që pritet të ndodhin gjatë ditëve në vijim, reformat duhet të vazhdojnë.Pavarësisht të gjitha zhvillimeve të cilat pritën të ndodhin në ditët dhe javët në vazhdim brenda Këshillit Prokurorial dhe jo vetëm, reformat duhet të vazhdojnë sepse janë mjeti më i mirë i cili do të ndihmonte dhe shëronte këtë lloj mentaliteti, i cili me punën e tij ka ndërtuar besueshmëri tejet të ulët në raport me publikun, duke ngecur brenda interesave të të njëjtit grup personash të përmendur me lartë! SOT, për të gjitha këto veprime dhe vendime është përgjegjës Këshilli Prokurorial i Kosovës, NESËR do të jemi përgjegjës të gjithë!“, përfundoi ai.