Ishte drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që deklaroi se Serbia do ta shqyrtojë mundësinë e dërgimit të 1 mijë trupave në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 1244.
Një deklarim të tillë e tha edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Por ish presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se Rezoluta 1244 nuk parashikon praninë e ushtrisë apo policisë serbe në veri apo në ndonjë vend tjetër të Kosovës.
Tadiq i cili tani është kryetar i Partisë Socialdemokrate (SD), kundërshtoi Bërnabiqin dhe Petkoviq në lidhje me këtë çështje.
Duke folur për mediat në Beograd, ai tha se kryeministrja Ana Bërnabiq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq po “mashtrojnë opinionin”.
Tadiq rikujton se Rezoluta 1244 e OKB-së, aneksi 2, pika 6 “nuk përmend ushtrinë serbe, por personelin jugosllav dhe serb”.