Ish-kryetari i Odës, Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë të hënën se presioni për “Ballkanin e Hapur”, duhet të jetë mbi Serbinë si ideatore e nismës, e jo ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë e sulmuar pse s’pranon të jetë në nismë ku nuk pranohet si shtet nga Serbia.
“Presioni për këto iniciativa e në rend të parë për Open Balkan duhet të bëhet nga ana e ideatorëve të kësaj ideje mbi Serbinë që të pranojë Kosovën si të barabartë dhe jo gjithënjë Kosova të jetë e sulmuar për mos pjesëmarrje në këtë iniciativë dhe në veçanti është për t’u brengosur qasja dhe diskursi i kryeministrit të Shqiperisë, Edi Rama i cili çdoherë e fajëson Kosovën për mos pjesëmarrje dhe asnjëherë nuk investon për të bindur Serbinë që të sheh realitetin e Ballkanit Perëndimor më ndryshe e në veçanti ta prezantojë këtë ide si kreative, inovative, zhvillimore dhe futurologjike”, ka thënë ndër tjerash ai.
Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”, së fundi kryeministri i Kosovës kishte ftesë publike nga homologu i tij në Maqedoninë e Veriut Dimitar Kovaçevski.
Pos Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka sinjale që edhe Mali i Zi do t’i bashkohet iniciativës. Kjo pas ardhjes në pushtet të Dritan Abazoviqit në krye të ekzekutivit malazez.
Por Kosova s’ka ndryshuar qëndrim, duke pretenduar se e “Ballkani i Hapur” nuk garanton stabilitet.