Kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në hyrjen në fuqi të fazës së dytë të vendimit për targat.
Kjo fazë parasheh gjoba prej 150 eurosh për ata që lëvizin me targa ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.
Të pakënaqur me vendimin e Qeverisë, zyrtarët serb nisën dorëheqjet nga institucionet e Kosovës.
Njohësit e sigurisë në vend alarmojnë për një eskalim të mundshëm të situatës me hyrjen në fuqi të fazës së dytë të vendimit të Qeverisë.
E për situatën që është krijuar në Mitrovicën e Veriut, për FrontOnline, ka folur ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Avni Kastrati.
Ai tha se situata është e tensionuar dhe se nuk pret që vendimi do të zbatohet nga data 21, pasi që siç tha ai Kurti do ta ndërron vendimin.
“Situata është mjaftë e tensionuar. Mendoj se Qeveria nuk është dashur të veproj kështu siç ka vepruar, është dashtë me ndëgju propozimin gjegjësisht rekomandimin e ShBA-së, edhe jam shumë i sigurt se për datën 21 qysh është planifikuar nuk do të vjen deri të zbatimi i gjobave kjo serish mendoj se Qeveria ka me ndërruar vendimin pjesërisht”, u shpreh Kastrati.
Por në rast se Qeveria nuk e ndërron vendimin, zbatimin e tij Kastrati e sheh si të pamundur.
Sipas tij, kur nuk paguhet rryma nuk do të paguhen as gjobat.
“Edhe nëse do të fillon të zbatohet vendimin teknikisht nuk ka qysh, ata që dojnë më mendu më mirë duhet me ditë se kur shqipërohen gjobat duhet me u pagu, nëse rryma nuk paguhet atëherë ku do të paguhet gjoba, kjo është një lojë fjalësh që po mendohet Qeveria me realizu diçka ose më mirë me thënë me tentu me realizu diçka po nuk ka me mujt me realizu”, deklaroi ish-kryetari i Mitrovicës.
Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, nga radhët e PDK-së, tha se Serbia gjatë kësaj kohe do të tentoj ta destabilizojë situatën.
“Sigurisht që Serbia nëpërmjet sateliteve të vet që i ka në Mitrovicën veriore do të tenton të bëjë çrregullime”, tha Kastrati.
Por që kjo të mos ndodh ai tha se Qeveria duhet që ta modifikoj vendimin me propozimet e SHBA-së dhe BE-së.
“Unë mendoj se Qeveria jonë duhet me ndrru qëndrimin dhe me zbatu vendimin e ShBA-së dhe të BE-së, që të mos vjen deri të gjobitja, por thjesht vendimi që e ka marrë Qeveria ta modifikoj në vendim që ndërrimi i targave të bëhet pas 10 muajve ashtu siç është rekomanduar nga ShBA”, u shpreh ai.
Qeveria e Kosovës, ka nisur zbatimin e vendimit për targat me 1 nëntor.
Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.
Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.