Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika është dënuar sot për pastrim parash me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot se pos Bedri Nikës, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar edhe nipin e tij me gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë për pastrim parash.
Zyrtari i LDK-së ishte arrestuar në maj të 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është dënuar pasi është gjetur fajtor se gjatë muajit shkurt e mars të 2021-ës kishte siguruar 5 mijë e 900 euro në 118 bankënota në vlerë 50 euro të dëmtuara me ngjyrë (reagjent kimik), me burim të panjohur. Të njëjta para, sipas aktakuzës, ua kishte dhënë nipit të tij, Albian Nika dhe vajzës së tij, E.N për t’i deponuar në llogaritë e tyre bankare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në faqen zyrtare të LDK-së, Nika figuron në listën e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Më 2016, Nika ishte kandidat i LDK-së për Kryetar të Komunës së Drenasit. Në atë kohë kishte marrë 1 mijë e 113 vota dhe ishte renditur i pesti në raundin e parë.
Veç kësaj, gjatë kontrollit të shtëpisë së të akuzuarit Nika i janë gjetur dhe sekuestruar 3 bankënota në vlerë 50 euro (gjithsej 150 euro), të dëmtuara nga kontakti me reagjent kimik.
Sipas aktgjykimit i akuzuari Bedri Nika për veprën penale “pastrimi i parasë”, u dënua më 15 mijë euro gjobë të cilën dënim i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 30 ditësh nga dita plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe një vit dënim me burgim, me ç’rast do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 27 maj 2021 deri më 26 qershor 2021.
Kurse, për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” i akuzuari Bedri Nika u lirua nga akuza pasi me provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor në këtë gjykatë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale.
Ndërsa, sipas aktgjykimit, i akuzuari Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” u dënua më dënim më gjobë në shumë prej 5 mijë euro të cilën i akuzuari obligohet ta paguajë 30 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.