Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Jasharaj, ka thënë se sa ishte Dardan Molliqaj sekretar organizativ i kësaj partie, e ka përgjuar atë në rrjetin social Facebook.
Jasharaj tregoi kur Molliqaj e kishte ftuar në zyrën e tij dhe i kishte thënë “ti po fol keq për mua në bisedat në Facebook”. Jasharaj, i shokuar, ishte stepur dhe kishte dalë jashtë pas këtyre fjalëve, siç tregon vetë protagonisti.
“Një prej gjynaheve të Kurtit është që e ka bo Molliqajn sekretar organizativ të VV-së. Që po ta ilustroj pse. Pas daljes së Rron Gjinovcit nga VV-, Molliqaj më tha se nuk bën me taku atë [Rronin] më, nuk bën me bisedu me të. Në një ditë prej ditëve, Dardani më fton në zyrë dhe më thotë Durim, ti ki fol keq për mua bashkë me Rronin, për bisedat që i kemi bërë në Facebook. Ti ke shkruar kështu me Rronin. Patëm shkruar për një dështim të një organizimi që kishte bërë Molliqaj. Gjithsesi, problemi nuk është ky, por problemi është se si ai ka pasur qasje në Facebookun tim. Nuk e di, thjesht në atë moment jam stepur dhe kam dalë jashtë, sepse e ka merituar çdo fjalë të keqe me ia thanë. E Dardani tash me PSD-në thonë se janë larguar nga VV-ja për shkak të jodemokracisë. Ku po do më jodemokratike se kjo. Dardani ka qenë ‘mastermind’ i kësaj pune. Dardani i mban përgjegjësitë për çdo gjë që ka ndodhur aso kohe kur ka pasur protesta të dhunshme. Dardani ka punuar me njerëz që e kanë pëlqy atë, që nuk ia kanë kthyer kurrë fjalën, që më vonë dolën nga VV-ja dhe krijuan parti të re”, ka treguar Jasharaj në “Java Sonte Me Rronin”.
Jasharaj rrëfeu përvojën e tij sa ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe edukimin e rreptë politik dhe praktik që kishin.
“Si aktivist i ri, kemi pasur edukim politik dhe praktik. Madje, edhe kur kemi dalë fjallera me shpërnda, nuk kemi pi cigare sepse duhej të ishim shembull si aktivist politik. Neve asnjëherë sa kam qenë në VV nuk na është thanë të shtyhemi me Policinë, kemi bërë vetëm rezistencë pasive”, përfundoi tashmë ish-aktivisti i Vetëvendosjes, i cili tha se ishin pikërisht “Molliqaj dhe njerëzit si ai” që e shtynë të largohej nga kjo parti.
Kryetari i PSD-së ka qenë i ftuar në këtë emision, por nuk u është përgjigjur thirrjeve të ekipit të emisionit.